Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka sjellë edhe një herë në vëmendje bisedat e ish-zëvendës kryeministres Belinda Balluku në lidhje me vilën në Palasë.
Duke iu referuar SPAK-ut, Shehaj pretendon se vila nuk është ndërtuar dhe mobiluar me paratë e Ballukut, por me fondet e personave që kanë përfituar nga tenderat e dhënë prej saj.
Sipas tij, këto janë para të shqiptarëve, të cilat duhet të ishin përdorur për investime në sektorë të rëndësishëm, si arsimi dhe shëndetësia, dhe jo për luksin e zyrtarëve të lartë.
“Neveri është ndjesia që provon çdo shqiptar që lexon luksin e shfrenuar të Belinda Ballukut”, shprehet Shehaj.
Ai thekson se, sipas pretendimeve të tij të mbështetura në hetimet e SPAK-ut, vila në Palasë është financuar nga persona që kanë përfituar para përmes tenderave të Ballukut.
“Me paratë që duhet të shkonin në arsim e shëndetësi, që Belinda të ndihet e llastuar”, deklaron kreu i Partisë Mundësia.
Shehaj e ka mbyllur reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama, duke paralajmëruar se, sipas tij, koha e paprekshmërisë për zyrtarët e lartë po përfundon.
“Sot nuk ka më të paprekshëm, po u vjen fundi. Tani është radha e parave dhe vilave të Ramës”, shprehet Agron Shehaj.



