Në ambientet e Universitetit të Tetovës është nënshkruar një marrëveshje, memorandum bashkëpunimi ndërmjet kompanisë ELEM dhe Universitetit të Tetovës. Me këtë rast, drejtori i Kompanisë ELEM, Hristijan Miskoski, tha se kjo është një ditë e rëndë- sisë së veçantë si për të po ashtu edhe për Kompaninë ELEM, pasi që për herë të parë nënshkruhet një marrëveshje, një memorandum bashkëpunim ndërmjet Kompanisë ELEM dhe Universitetit të Tetovës.
“Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje mënyra e veprimit të Kompanisë ELEM në të ardhmen do të jetë ndarja e bursave për studentët e Universitetit të Tetovës, të cilët vijojnë studimet e tyre në këtë Universitet, ndërsa në të ardhmen nënkuptohet se ne si kompani prej një pjese të këtyre studentëve, presim që të jenë e kapaciteteve prodhuese të Kompanisë ELEM. Shpresoj që ky akt i bashkëpunimit do të jetë një motiv shtesë për të gjithë studentët, të cilët studiojnë në drejtimet teknike, por pse jo edhe për studentët e drejtimeve të tjera, me qëllim që ato të vazhdojnë edhe më tutje të pasurojnë profesionin e tyre dhe pas përfundimit të studimeve angazhimin e tyre profesional ta vazhdojnë në kapacitetet prodhuese të Kompanisë ELEM. Ne planifikojmë që në secilin vit akademik të ndajmë bursa për pesë studentë të Universitetit të Tetovës”, tha Hristijan Miskoski, drejtor i ELEM.
Ky memorandum bashkëpunimi është përshëndetur edhe nga prorektori për arsim pranë Universitetit të Tetovës, Reshat Qahili, i cili theksoi se ky bashkëpunim përveç ndarjes së bursave, në vete nënkupton edhe ndjekje të punës praktike të studentëve në Kompaninë ELEM, si dhe seminare të përbashkëta për studentët e shkencave teknike.
Në aktin e nënshkrimit të këtij memorandumi bashkëpunimi, i pranishëm ishte edhe zëvendës drejtori i Kompanisë ELEM, Fatmir Limani, i cili në fjalën e tij nënvizoi se kjo ditë është një ditë e veçantë si për kompaninë po ashtu edhe për Universitetin e Tetovës, pasi që në të kaluarën nga ish drejtorët e Kompanisë ELEM, ka munguar vullneti për të krijuar ura bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës.
Ndryshe, pas aktit të nënshkrimit Kompania ELEM dhe Universiteti i Tetovës, obligohen që të zbatojnë këtë memorandum bashkëpunimi dhe në të ardhmen të organizohen seminare të përbashkëta, studentët të kryejnë pjesën praktike në kapacitetet prodhuese të kësaj kompanie, si dhe të përfitojnë nga bursat që kjo kompani parasheh të ndajë për studentët.
D.K
Almakos.com

