Policia e Shkodrës ka asgjësuar 1388 bimë kanabis, për të cilat ende nuk janë arrestuar përgjegjësit.
Asgjësimi i këtyre bimëve ka ardhur si rezultat i megaoperacionit policor të koduar “Territori i pastër”.
Bimët narkotike u gjetën në territoret e njësive administrative Pult, Shalë dhe Shllak.
Sakaq, po vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve që kultivuan këto bimë narkotike.
Njoftimi i policisë:
Qarku Shkodër/Vijon megaoperacioni policor anticannabis “Territor i pastër”, asgjësohen 1388 bimë cannabisi.
Në kuadër të këtij megaoperacioni që ka si objektiva parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut.
Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territoret e njësive administrative Pult, Shalë dhe Shllak, dhe asgjësuan 1388 bimë cannabisi.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.



