Masa të forta sigurie janë vendosur në të gjitha burgjet dhe paraburgimet në vend, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen të dielën, më 11 maj.
Për të shmangur ngjarje të mundshme kriminale, si arratisje apo incidente të tjera, si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e procesit të votimit brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit, Policia e Burgjeve në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë.
Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bënë me dije për News 24 se në çdo fushatë zgjedhore ndiqet e njëjta praktikë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë.
Në burgjet dhe paraburgimet e vendit kanë të drejtë vote 3,087 të dënuar apo paraburgosur. Ndërkohë, nga listat janë hequr emrat e të dënuarve apo paraburgosurve të cilëve Kodi Zgjedhor nuk ua lejon të drejtën e votës, për shkak të veprave penale për të cilat janë dënuar ose janë aktualisht nën hetim.