Pas seancës së përbashkët të Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe Qeverisë së Kroacisë, e cila u mbajt sot në Sarajevë, krerët e dy qeverive Denis Zvizdiç dhe Andrej Plenkoviç theksuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë miqësore dhe se pas bisedimeve të sotme ato janë avancuar. Megjithatë, kanë mbetur disa çështje të hapura, të cilat me vite tangojnë marrëdhëniet mes BeH-së dhe Kroacisë, për të cilat do të diskutohet në të ardhmen, raporton AA.
“Duke patur parasysh se kemi shqyrtuar mbi 50 pika të rendit të ditës, të cilat ishin përgatitur shumë seriozisht dhe në mënyrë profesionale dhe duke patur parasysh konkluzionet, të cilat shprehën gatishmërinë e dy qeverive që të vazhdojë të punojë për përfundimin e të gjitha projekteve të filluara, ne mund të flasim për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona dhe përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka thënë Zvizdiç.
Ai shtoi se gjatë seancës së përbashkët nuk janë shmangur as temat që shumë vite tangojnë marrëdhëniet midis dy vendeve.
Kryeministri kroat Plenkoviç tha se për Kroacinë është e rëndësishme që takimi mbeti një referencë në mozaikun e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“E them këtë jo vetëm për shkak të nënshkrimit të pesë marrëveshjeve, por se në debatin tre orësh kemi kaluar 50 pika dhe kemi prekur të gjitha çështjet e rëndësishme në marrëdhëniet tona. Në aspektin dypalësh për Kroacinë nuk ka shtet më të rëndësishëm se BeH”, ka thënë Plenkoviç.
Ai shtoi se Kroacia do të kontribuojë në lidhje me marrëveshjen për partneritet evropian, në dejtim të lëvizjes së BeH-së për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Ne së bashku do të punojmë edhe në zbatimin e një sërë projekteve të infrastrukturës, të cilat do të diskutohen javën e ardhshme, sepse përsëri do të jemi së bashku më 12 korrik në Trieste. BeH-ja e ka Kroacinë partner dhe mik dhe avokatin më të fortë të artikuluar dhe të informuar për rrugën evropiane të BeH-së”, tha kryeministri kroat.
Pas seancës së përbashkët u nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe: marrëveshja midis Qeverisë së Kroacisë dhe Këshillit të Ministrave të BeH të partneritetit evropian dhe për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, pastaj marrëveshja për bashkëpunim në fushën e turizmit, dhe një protokoll për bashkëpunim midis Qeverisë së Kroacisë dhe Këshillit të Ministrave për kërkimin e personave të pagjetur si dhe një memorandum për bashkëpunim në fushën e rinisë në mes të Ministrisë së Punëve Civile të BeH-së dhe Ministrisë kroate të Demografisë, familjes, të rinjve dhe politikës sociale.
Pas seancës së dy qeverive edhe anëtarët e kolegjit të dy dhomave të Asamblesë Parlamentare të BeH-së do të mbajnë një takim me delegacionin e Qeverisë kroate.
Ndryshe, seanca e parë e përbashkët e Qeverisë së Kroacisë dhe Këshillit të Ministrave u mbajt në gjysmën e dytë të qershorit të vitit 2010, në kohën kur në krye të qeverisë kroate ishte kryeministrja Jadranka Kosor, kurse të Këshillit të Ministrave të BeH-së, Nikola Shpiriç.