Koalicioni VLEN i bëri thirrje Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të hapë lëndë dhe të hetojë pretendimet e publikuara në media për ish-drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi. Sipas VLEN-it, informacionet e publikuara ngrenë dyshime serioze për presion ndaj një kompanie evropiane që të mos marrë pjesë në tenderë në Maqedoninë e Veriut, me qëllim favorizimin e një kompanie nga Serbia në furnizimet me gardhe mbrojtëse, duke kërkuar transparencë të plotë për shpenzimin e parave publike dhe procedurat e prokurimit.
Reagimi i plotë:
Kanë kaluar tre ditë që kur në opinion dolën informacione serioze lidhur me punën e ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi.
Në artikullin e botuar në një media të shtypur, janë publikuar informacione skandaloze se Ejup Rustemi ka ushtruar presion ndaj njërës prej kompanive më të mëdha evropiane për prodhimin e gardheve mbrojtëse që të mos marrë pjesë në tenderë në Maqedoni të Veriut.
Një kompani evropiane është shtyrë anash, ndërsa rruga i është hapur një kompanie nga Serbia.
Këtu nuk flasim për një tender të zakonshëm. Këtu flasim për eliminim konkurrence, për favorizim firme, për shuma milionëshe dhe për lojëra me paratë e qytetarëve.
Edhe më e rëndë është se bëhet fjalë për gardhe mbrojtëse. Këto nuk janë zbukurime rruge. Këto janë pajisje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë në rrugë dhe me jetën e njerëzve.
Nëse siguria e qytetarëve është vënë në pazar që tenderi t’i shkojë një kompanie serbe, atëherë a duhet të presim tragjedi të reja si ajo e Llaskarcës që institucionet më në fund të zgjohen?
Nëse Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit hesht përballë këtyre informacioneve serioze, atëherë pyetja që lind vetvetiu është e thjeshtë. A e di Islam Abazi se Prokuroria duhet të veprojë edhe sipas zërit publik, apo pret të dëgjojë çfarë do t’i thotë Ali Ahmeti?
Prandaj kërkojmë nga Islam Abazi që menjëherë të hapë lëndë dhe t’i verifikojë të gjitha informacionet që lidhen me furnizimet publike, gardhet mbrojtëse dhe shumat milionëshe që po përmenden në opinion.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse paratë publike janë shpenzuar sipas ligjit dhe pse është favorizuar një kompani serbe.
BDI janë patriotë të rremë. Për të drejtat e shqiptarëve bërtasin kur janë në opozitë, ndërsa kur ishin në pushtet bënin allashverishe me kompani serbe për interesa krejtësisht personale.
Ne nuk do të lejojmë që kjo çështje të mbyllet me heshtje.
Kërkojmë që Prokuroria të mos humbë kohë, por të veprojë menjëherë dhe t’i tregojë opinionit çfarë hapash do të ndërmarrë.


