Policia e Tiranës njoftoi sot se ka vënë në pranga dy ‘mashtruese’, të cilat akuzohen se vidhnin të dhënat bankare të qytetarëve të ndryshëm, me qëllim blerjen e produkteve online. Sipas bluve të kryeqytetit, në pranga ka rënë një 33-vjeçare, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”. Po ashtu, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë një 35-vjeçare, banuese në Tiranë, e cila dyshohet si bashkëpuntore në kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se J. M. ka kryer blerje në shumën rreth 1.700.000 lekë, ndërkohë dyshimet janë se ka kryer dhe blerje të tjera në kompani të cilat shesin produkte në rrjet (online).
Por, kjo nuk është e vetmja skemë mashtrimi kibernetik, ku shumë qytetarë kanë rënë pre e humbjes së vlerave të mëdha monetare, në këmbim të një shërbimi apo në ndihmë të ndonjë personi.
Shqiptarët, pre e ‘preferuar’ e mashtruesve online me shtijet e automjeteve nga jashtë:
Një skemë e mirëfilltë mashtrimi, pre e së cilës ranë disa shtetas shqiptarë, u zbulua disa vite më parë, ku ‘koka’ e kësaj skeme ishte një shtetas meksikan, i cili ofron makina në një kompani të tregtimit online, por që pas pagesës, zhdukej dhe klientit nuk i përgjigjej më askush. I tillë është dhe rasti i kompanisë autobrandnet.com, viktimë e së cilës kanë rënë shumë qytetarë, kryesisht nga Tirana dhe Durrësi, vetëm gjatë muajve të fundit gusht – shtator të vitit 2017.
Sipas skemës në fjalë, njerëzit hynin në ëebsite autobrandnet.com, kërkonin të blinin një makinë, bënin pagesën bankare nëpërmjet dokumenteve dhe makina nuk iu vinte kurrë.
Por si funksiononte skema e mashtrimit nëpërmjet vjedhjes së të dhënave dhe informacionit nga agjencitë serioze të shitjes së makinave?
Marrim rastin e një makine të përdorur ‘Porche’ të viti 2015, që tek autobrandnet.com shitet 24 900 dollarë, e njëjta makinë ndodhet tek uebsite i besuar, me vlerë 92 mijë dollarë dhe është në ankand, për të cilën shumë persona mund të japin ofertë dhe nuk mund ta blejnë. Ndërsa tek autobrand, me foto të vjedhura të tregon se mund ta blesh direkt, ndërsa realisht mund ta blesh vetëm në ankand.
“Jam me kancer, dua të të dhuroj 40 mijë euro”, skema e mashtrimit me vjedhjen e të dhënave personale:
Një tjetër skemë mashtrimi kibernetik është edhe ajo kur mashtruesit u thonë viktimave se persona të ndryshëm në botë kanë lënë pasuri për ta. I tillë është rasti i një zonje shqiptare, nënë e dy fëmijëve, e cila është kontaktuar në profilin e të bijës në Instagram nga një mashtrues që përdor identitet të rremë. Ai i thotë se është një zonjë me origjinë italiane që do të dhurojë pasurinë e saj me vlerë 40 mijë euro pasi vuan nga një sëmundje e rëndë dhe ditët e saj janë të numëruara.
Fillimisht mashtruesi i kërkon 155 euro pasi pretendon se është kostoja e noterit që duhet të përgatisë certifikatën për të zhbllokuar pasurinë e zonjës. Më pas, mashtruesi i dërgon të dhënat e llogarisë bankare për të transferuar 155 euro në mënyrë që të vijojnë me procedurat e tjera. Adresa e bankës që i ka dërguar rezulton të jetë në Greqi.
Gruaja nuk shfaq besim dhe i thotë se nuk do e paguajë koston prej 155 euro, ndërsa mashtruesi përpiqet ta bindë duke i thënë: “Zonjë, ne vetëm po presim që ju të filloni me dosjen tuaj dhe sot nëse gjithçka shkon mirë deri nesër, ne do të mbarojmë me dosjen tuaj.”
Kur ajo insiston dhe i shkruan në disa gjuhë të ndryshme se nuk ka ku të gjejë paratë për të kryer pagesën, mashtruesi i përgjigjet: “Nuk ka rëndësi. Për sa kohë mund të shpresojmë për ju? Atje mund t’i them noterit tim të fillojë punën, unë do t’ju dërgoj formularin e bashkangjitur.”
Mashtruesi nuk dorëzohet dhe i dërgon formularin në “Whatsapp”, ku i kërkohet: emri dhe mbiemri, gjinia, data e lindjes, qyteti, shteti, kodi postar, numri në Ëhatsapp, puna si dhe dokumente:
Kartë identiteti ose pasaportë e dyfishtë ose ndonjë dokument tjetër që njeh identitetin. Ndër të tjera i thotë se po informacioni i duhet për certifikatën e dhurimit, ndaj i duhen edhe të dhëna si: -emri i bankës, -numrat e llogarisë bankare, -IBAN, -BIC dhe i kërkon që të transferojë fonde në llogari sa më shpejt të jetë e mundur.
Gjatë bisedës, shqiptarja i thotë se nuk ka para dhe i dërgon një fotografi të avokatit Charles, me emrin e të cilit është prezantuar mashtruesi duke e pyetur nëse është ai. Mashtruesi e pyet menjëherë se ku e gjeti foton dhe më pas ajo tregoi se gjithçka u zbulua përmes një kërkimi që bëri në Facebook.
Menjëherë pas kësaj bisede, mashtruesi i kthehet historisë së tij duke i thënë: “Unë dua që të arrini të paguani atë kosto. Ju do të përfitoni nga zonja sepse unë fola me të këtë mëngjes për ty, ajo më tha për vajzën tënde të vogël.” Ndërsa shqiptarja i kërkon vërtetim të pasurisë së italianes, por mashtruesi nuk ka asgjë për ta vërtetuar dhe i dërgon dy fotografi të avokatit Charles Boureq.
Shqiptarja nuk e beson duke i thënë se janë imazhe të montuara. “Fotoja që keni është e ngjitur. Nuk është reale. Avokati im thotë që është mashtrim dhe t’mos jua jap të dhënat”, i shkroi ajo.
I vënë në vështirësi, mashtruesi i kërkon numrin e avokatit, por shqiptarja i thotë se nuk mund ta bëjë pa miratimin e tij sepse i ka thënë që nuk ka asnjë dokument të vulosur që ekziston trashëgimia.
Mashtrimi me foto interneti të fëmijëve të sëmurë dhe mbledhja e fondeve për ‘shërimin’ e tyre:
Një tjetër mënyrë e përdorur nga mashtruesit kibernetikë është edhe ajo e nxjerrjes së fotove të fëmijëve të sëmurë apo me probleme të rënda shëndetësore, duke kërkuar mbledhjen e fondeve për shërimin e tyre.
E tillë është skema e përdorur nga një 34-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Arsen Memaj, i cili ishte pjesë e grupit të “mashtruesve online”, të cilët gënjenin qytetarët dhe iu merrnin para si ndihmë për të miturit me probleme shëndetësore.
Por, kjo skemë ka qenë fitimprurëse edhe në terren, ku jo pak herë kemi parë nëpër rrugët e kryeqytetit, dhe jo vetëm, të rinj, të cilët me një foto në dorë dhe me një arkë kursimi ndalojnë qytetarët për t’i marra para për ‘shërimin’ e fëmijës në foto, edhe pse një gjë e tillë nuk ekziston dhe ajo foto ka qenë e marrë nga ndonjë uebsajt në internet.
Ndërhyrjet në e-mailet personale të biznesmenëve, përvetësimi i mijëra eurove nga hacker-ët në emër të tyre:
Një tjetër skemë mashtrimi është ajo e aksesit në adresat personale të biznesmenëve të ndryshëm, me anë të cilës, hacker-ët arrijnë që të përvetësojnë apo edhe të kryejnë blerje dhjetëra-milionëshe me llogarinë e tjetrit.
I tillë është rasti i një biznesmeni shqiptar, i cili ra pre e mashtrimit, ku si pasojë një ‘hacker’ ka mundur t’i marrë një shumë prej 89550 euro. Në qershor 2020, biznesmeni bëri një kallëzim në polici, pasi persona të paidentifikuar, nëpërmjet një skeme mashtruese, bazuar në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, kishin krijuar adresa të rreme elektronike, të ndërtuara me qëllimin për të mashtruar viktimat dhe për të devijuar transfertën e parave.
Sipas policisë ‘hacker-i’ me anë të ndërhyrjes në e-mail kishte mundur të përvetësonte shumën prej 89550 euro. Por me ndërhyrjen e policisë u bë e mundur zbardhja e skemës së mashtrimit, identifikimi i autorit, i cili është një shtetas i huaj që nuk jeton në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe zbulimi dhe bllokimi i llogarisë së tij. Policia, në bashkëpunim me një bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, bëri të mundur bllokimin e shumës 89550 euro, e cila ishte transferuar në një llogari jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
CILAT JANË DISA NGA LLOJET E TJERA TË SKEMAVE MASHTRUESE NËPËRMJET INTERNETIT:
Skema e klientit misterioz:
Mashtrimet me anë të skemës së klientit misterioz përdoren shpesh nga shkelësit e ligjit të cilët shënjestrojnë faqet e punësimit. Taktika është e thjeshtë: Mashtruesit i dërgojnë viktimave një çek dhe u thonë atyre t’i përdorin paratë për të “vlerësuar” shërbimin e transferimit të parave të Uestern Union. Viktimat i dërgojnë paratë dhe më vonë zbulojnë se çeqet janë rikthyer dhe ata kanë detyrimin që t’i kthejnë paratë bankës.
Mbipagesat:
Në rastin e skemave mashtruese me mbipagesa, mashtruesit luajnë rolin e blerësit dhe shënjestrojnë klientët të cilët shesin një shërbim apo një produkt. “Blerësi” i dërgon shitësit një çek në dukje të pranueshëm, zakonisht të tërhequr nga një bankë shumë e njohur, me një shumë më të madhe sesa çmimi për të cilin është rënë dakord. Ata kërkojnë një shpjegim për këtë mbipagesë dhe e udhëzojnë shitësin të depozitojë çekun dhe të dërgojë mbrapsht paratë e tepërta. Disa javë më vonë viktima mëson se çeku ishte fals, por është gjithsesi i detyruar t’i kthejë mbrapsht bankës të gjitha paratë e tërhequra.
Punësimi:
Skemat mashtruese të punësimit përgjithësisht fillojnë me një ofertë tepër të mirë për të qenë e vërtetë – puno nga shtëpia dhe fito mijëra dollarë në muaj, nuk nevojitet përvojë – dhe përfundimi është klientë që mbeten pa punë dhe pa para. Përgjithësisht ato kryhen sipas njërës prej këtyre tre metodave:
- Mashtruesit pretendojnë të jenë “punëdhënësi” i ri dhe u dërgojnë viktimave një çek për mbulimin e shpenzimeve fillestare, si mjetet e punës. Viktimat e tërheqin çekun, blejnë mjetet e nevojshme të punës dhe ia dërgojnë përsëri shumën e mbetur mashtruesit në mënyrë elektronike. Pas disa javësh, ata zbulojnë se çeqet janë falsë dhe se duhet të paguajnë të gjithë shumën e parave.
- Mashtruesit pretendojnë të jenë “rekrutues” duke bërë oferta për punësim të sigurt, ose “punëdhënës” që sigurojnë mundësi punësimi me kusht që viktimat të paguajnë paraprakisht për verifikimin e gjendjes bankare, aplikimet ose tarifat e procesit të rekrutimit. Viktimat paguajnë, por oferta e punës nuk konkretizohet asnjëherë.
- Mashtruesit pretendojnë të jenë përfaqësues të një “shoqërie” dhe kërkojnë të dhëna sensitive personale dhe/ose financiare nga viktimat, duke pretenduar se po bëjnë verifikime të gjendjes bankare ose gjyqësore. Më pas ata i shënjestrojnë viktimat për vjedhje të identitetit.
Lotaritë/çmimet:
Skemat mashtruese të lotarive apo çmimeve kryhen sipas dy metodave të ngjashme:
- Viktima merr një telefonatë, email, letër ose faks të padëshiruar nga dikush që pretendon se punon për një agjenci shtetërore apo se përfaqëson një organizatë apo person të njohur, me anë të së cilës njoftohet se ka fituar një shumë të madhe parash ose një çmim. Mashtruesi fiton besimin e tyre dhe u shpjegon se për të marrë çmimin, fillimisht duhet të dërgojnë një shumë të vogël parash për të paguar tarifat e procesimit të transfertës ose taksat. Viktimat ndjekin udhëzimet, i dërgojnë menjëherë paratë, por nuk e marrin kurrë çmimin.”. Madje ata kanë humbur edhe paratë që paguan për “tarifat dhe taksat.”.
- Viktimat marrin një çek ose një transfertë parash të padëshiruar si dhe udhëzimet për t’i tërhequr paratë dhe për të dërguar një pjesë të tyre për të mbuluar tarifat e procesimit të transfertës ose taksat. Disa javë më vonë, pasi i kanë dërguar paratë për mbulimin e “taksave” pa mundësi për t’i rimarrë ato, viktimat zbulojnë se çeqet janë të falsifikuara. Gjithashtu tani ata i detyrohen bankës të gjithë shumën e parave që kanë tërhequr.
Pronat me qira:
Mashtruesit me përvojë përdorin internetin dhe veçanërisht disa uebsajte pa pagesë, për të mashtruar viktima naive në tregun imobiliar. Skemat mashtruese të pronave me qira ndjekin përgjithësisht dy metoda:
Skemat mashtruese të emergjencave përdorin ndjenjat e njerëzve dhe dëshirën e madhe për të ndihmuar ata në nevojë. Mashtruesit i gënjejnë viktimat duke u hequr si një person tjetër dhe sajojnë një situatë emergjente (më kanë arrestuar, më kanë sulmuar, jam në spital) dhe shënjestrojnë miqtë dhe familjarët duke u bërë thirrje urgjente për ndihmë dhe para. Skemat mashtruese të emergjencave janë të formave dhe niveleve të ndryshme. Ekziston Skema Mashtruese e Gjyshërve ku mashtruesi kontakton të moshuarin duke pretenduar se është nipi apo mbesa, dhe kërkon t’i dërgohen para sa më shpejt. Gjithashtu, ekziston edhe Skema Mashtruese e Rrjeteve Sociale ku mashtruesi hakon profilet e rrjeteve sociale dhe më pas shënjestron miqtë duke u kërkuar para në panik e sipër me pretendimin se janë plagosur, arrestuar etj.; e njëjta gjë ndodhe edhe me hakimin e emaileve. Ata përdorin të dhënat e këtyre profileve për të marrë të dhënat personale që u duhen për t’i bërë kërkesat të duken bindëse.
Skema mashtruese e marrëdhënies nis thjeshtë: Një burrë dhe një grua njihen në internet. Marrëdhënia avancon: Ata dërgojnë emaile, flasin në telefon dhe shkëmbejnë foto. Si përfundim, planifikojnë të takohen, madje edhe të martohen. Me forcimin e marrëdhënies, gjërat nisin të ndryshojnë. Burri i kërkon gruas t’i dërgojë para – i duhet të blejë biletën e autobusit për të vizituar xhaxhanë e sëmurë. Transferta e parë është e vogël, por kërkesat shtohen dhe shumat rriten – e bija ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale emergjente, i duhet biletë avioni për të ardhur që të takohen etj. Premtimet për kthimin e parave nuk përmbushen, paratë zhduken, po ashtu edhe ai.
Çeqet false janë elementi kryesor në shumë prej skemave të ndryshme mashtruese: skemat mashtruese të parapagimit të tarifave ose të paradhënieve; skemat mashtruese të klientit misterioz; skemat mashtruese të lotarive dhe çmimeve e të tjera. Viktimat marrin një çek ose një transfertë parash të padëshiruar si dhe udhëzimet për t’i tërhequr paratë dhe për të dërguar një pjesë të tyre për të mbuluar shpenzime të ndryshme, si tarifat e procesimit të transfertës ose taksat. Disa javë më vonë, pasi i kanë dërguar paratë pa mundësi për t’i rimarrë ato, viktimat zbulojnë se çeqet janë të falsifikuara. Gjithashtu tani ata i detyrohen bankës të gjithë shumën e parave që kanë tërhequr.











