Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) njofton se janë bërë ndryshime në Ligjin për Subvencionimin e Racionit të Studentëve, konform të cilit zgjerohet përfshirja e masës.
Siç njoftojnë nga MASH, tani e tutje statusi i punësimit nuk është kusht kufizues për studentët, ndaj të drejtën do ta kenë të gjithë studentët e rregullt në studime deridiplomike që kanë të ardhura mujore më të ulëta se paga minimale neto mesatare, si dhe studentët e regjistruar në studimet pasdiplomike dhe studimet e integruara në universitetet shtetërore dhe private në vend.
“Në përputhje me ndryshimet ligjore, në këtë link është publikuar thirrje e re për realizimin e së drejtës, në të cilën mund të aplikojnë të gjithë studentët që i përkasin ndonjë prej kategorive në përputhje me përfshirjen e zgjeruar të masës. Afati i aplikimit për këtë thirrje të jashtëzakonshme zgjat prej më 14 deri më 16 prill. Megjithatë, studentët të cilët e kanë ushtruar këtë të drejtë deri më tani, nuk janë të detyruar të aplikojnë për thirrjen, përkatësisht vazhdojnë të shfrytëzojnë masën”.
“Subvencionimi i racionit të studentëve është mbështetje financiare në shumë prej 140 denarë, të cilën studenti e merr nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për blerjen e ushqimit të përgatitur. Shfrytëzuesit kanë të drejtë të përdorin shërbimin nga e hëna deri të shtunën gjatë vitit akademik, me përjashtim të periudhës prej më 1 korrik deri më 1 tetor, si dhe gjatë festave zyrtare dhe ditëve jopune”.
“Nga muaji i ardhshëm – maj të vitit 2025, do të vazhdojë obligimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për publikimin e thirrjeve në baza mujore, nga data 1 deri më datë 5 të muajit, ku do të mund të aplikojnë të gjithë studentët të cilët më parë nuk i plotësonin kushtet ose për ndonjë arsye tjetër nuk aplikuan dhe nuk e realizuan këtë të drejtë. Zgjerimi i përfshirjes së masës është kërkesë e Trupit kombëtar studentor. Vazhdon bashkëpunimi i mirë i Mash-it me organizatat studentore, si dhe përpjekjet e institucionit për të lehtësuar procesin arsimor të të rinjve. Në Buxhetin e Ministrisë për vitin 2025, mjetet për standardin e studentëve janë rritur për 18% në krahasim me vitin e kaluar dhe arrijnë gati në 2 miliardë denarë”, thonë nga MASH.