Alsat-M 2019-06-05T15:33:52+02:00
Shkollat fillore nuk do të punojnë të shtunave, mirëpo ditët e humbura mund të zëvendësohen pas 10 qershorit. Nuk do të ketë shkurtim të orëve mësimore. Nga klasa e parë deri në të pestën do të ketë mësues të posaçëm për orën e edukatës fizike ndërkohë që do të reduktohet edhe numri i nxënësve në klasa, pragu minimal do të ulet në 20 nxënës ndërsa paralelet e kombinuara mund të kenë më së shumti 10 nxënës. Këto janë vetëm disa nga ndryshimet që parasheh projekt ligjit të ri për Arsim fillor.
Në përputhje me rekomandimin e Raportit të OECD-së, zgjidhja e re ligjore nuk parashikon reduktimin e numrit të ditëve të mësimit, sepse gjendja e tanishme tregon se nxënësit tanë deri në moshën 14-vjeçare kanë mbi 900 orë mësimore më pak së sa moshatarët e tyre të shteteve anëtare të OECD-së, që është barabarte me 1.5 vjet arsim më pak”.- deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit
Projekt ligji i ri parasheh që në arsimin e rregullt fillor të formohen paralele të posaçme për fëmijët me aftësi të kufizuar të cilat parashohin lloje të ndryshme të mbështetjes.
Në këtë drejtim, me këtë zgjidhje ligjore parashikojmë të ashtuquajtura paralele të posaçme në kuadër të shkollave të rregullta fillore, si dhe shkollat e posaçme nga viti shkollor 2022/23 të mos regjistrojnë më nxënës të ri me aftësi të kufizuara, ndërsa nxënësit që mësojnë në këto paralele/shkolla mësimin mund ta vazhdojnë këtu nëse është zgjedhja e tyre ose e prindërve/kujdestarëve të tyre”- shtoi Arbër Ademi, ministër i Arsimit
Projekt ligji i ri parasheh gjithashtu organizimin dhe realizimin e arsimit fillor në institucionet shëndetësore dhe në kushte shtëpiake për nxënësit që trajtohen më gjatë se tre javë në shtëpi apo në spital. Nga dikasteri i Arsimit thanë se projekt ligji është i hapur për të gjithë për të dhënë vërejtje ose propozime për ndryshimin e tij.
Melihate Rustemi
Loading…



