Maqedonia, një vend me dy milionë banorë dhe me një popullsi etnikisht mjaft të përzier, qëmoti konsiderohet si shtet kyç i Ballkanit, më pak për shkak të fuqisë ekonomike dhe më shumë për shkak të pozitës gjeostrategjike. tre përparësitë kryesore të politikës së jashtme të Maqedonisë janë anëtarësimi në NATO, fillimi i bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrdhënet fqinjësore me vendet e rajonit, shkruan Almakos.
Edhe pse zërat janë se Maqedonisë, Bullgaria ia konteston gjuhën, bashkë me identitetin, Serbia – kishën (autoqefalitetin), Greqia – emrin, duke u mbështetur te fakti se dy të tretat e Maqedonisë antike, sot janë nën sovranitetin e saj. E vetmja është Shqipëria që ka treguar një neutralitet të theksuar. Për mardhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ish Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni thotë se i vetmi problem me këtë shtet është mohimi i të drejtave të shqiptarëve .
“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë janë normale. Mendimi im është se do të kishin pasur një shkallë më të lartë bashkëpunimi dhe përfitimi reciprok, nëse qeveritë maqedonase nuk do të vuanin nga paragjykimet, si ndaj popullit shqiptar në Maqedoni, ashtu dhe ndaj të drejtës së shtetit të Shqipërisë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë Murat Shabani, ish Ambasador.
Ndërsa, profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, ka shkruar se për moment nuk është problemi i vetëm marrdhëniet ndëretnike në vend, por negociat si me Greqinë, Bullgarinë, ashtu edhe BE-në.
“Zhvillimi i Maqedonisë nuk varet vetëm nga harmonia e brendshme ndëretnike, të cilën qeveria e re e përfaqëson më fuqishëm se ajo e mëparshmja. Shtetet fqinje, para së gjithash anëtaret e BE-së Greqia dhe Bullgaria, kanë ndikim të madh. Greqia për shkak se qe më shumë se 25 vjet bllokon pranimin e Maqedonisë në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për shkak të konfliktit mbi emrin e shtetit. Bullgaria, ndërkaq, e pranon Maqedoninë si shtet, por shumë bullgarë i shohin maqedonasit si pjesë të kombit bullgar. Qeveria e Zaevit po përpiqet të ulë tensionet, siç sinjalizojnë vizitat në Athinë dhe Sofje. Sidomos Greqia do të duhej të çlirohej nga ngurtësia e saj në politikën rajonale dhe të bëhet akter konstruktiv. BE do të duhej ta përkrahte dukshëm këtë shtendosje në Ballkanin jugor dhe shoqërinë civile maqedonase. Kështu ajo do t’i jepte fund edhe lojë- rave për ndryshimin e kufijve. Maqedonia tregon se Ballkani nuk duhet t’u dorëzohet njerëzve të pushtetshëm, nëse synohet të zhvillohet demokracia”, ka shkruar Oliver Jens Schmitt profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës, njohton Almakos.
Nënshkrimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë është hap i parë i mirë ndaj përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, deklaroi ishpresidenti i Bullgarisë Georgi Përvanov për Televizionin nacional bullgar. Përvanov thekson se duhet t’i ndihmohet Maqedonisë që të hyjë në BE dhe NATO për stabilizim të vendit dhe rajonit, por se është e rëndësishme që edhe Bullgaria t’i zgjidhë problemet e saj me Maqedoninë rreth çështjes për historinë e përbashkët.
“Kemi atmosferë të volitshme, çfarë mund të mos përsëritet në 20 vitet e ardhshme. Prandaj duhet të lëvizim ndaj nënshkrimit të marrëveshjes. Jam skeptik se marrëveshja do ta zgjidhë problemin, po çka do që të jetë dhe të mos bartë cilësi në krahasim me deklaratën e vitit 1999, marrëveshja është me të vërtetë e nevojshme dhe duhet të nënshkruhet. Çështja është tjetër, ne nuk do ta zgjidhim problemin me një marrëveshje, nuk do t’i zvogëlojmë tensionet. Na duhen vite, dekada punë. Na duhet konsensus publik politik, mjedis tjetër medial. Kjo krijohet me shumë kontakte dhe me shumë dialog”, deklaroi Përvanov.
Si shembull ai e ka theksuar datën e nënshkrimit të marrëveshjes 2 gusht, kur, siç thotë, ka filluar Kryengritja e Ilindenit. Sipas tij, emri i kryengritjes do të thotë se unifikohet kryengritja në Traki dhe Maqedoni, për çka nevojitet qasje e kujdesshme në temë. “Kriteri është në atë që kemi pasur një vetëdije nacionale, qëllime dhe detyra të vetme nacionale.
Ndërsa, menjëher pas deklaratës së bullgarëve, ka reaguar dhe Akademia e Shkencave të Maqedonisë. “ASHAM nuk do të mbetet indiferente dhe do ta tregojë qëndrimin e saj, kur edhe do ta sheh përmbajtjen e marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. Ne nuk do të pranojmë asgjë që është nënçmuese për vlerat themelore, sidomos në çështjet e identitetit, gjuhës, kulturës, pasi këto çështje janë mision i ASHAM”, ka deklaruar akademiku Taki Fiti.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Nikolla Dimitrov ka shfaqur keqardhje për shkak të deklaratave të shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiq. Daçiq ka thënë në Athinë se Serbia ka gabuar që e ka njohur Maqedoninë me emrin kushtetues të saj. Dimitrov ka thënë se në rast të mos-gjetjes së një zgjidhje, të një marrveshje me Greqinë, për emrin, humbëse është Maqedonia.
Ndërsa, ambasadori i BE-së në Shkup Samuel Zhbogar ka reaguar mbi marrëdhëniet mes fqinje dhe ka rekomanduar të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Ne jemi të inkurajuar nga vizita e fundit e Kryeministrit në Sofje dhe vizita e ministrit të Punëve të Jashtme në Athinë. Asnjëherë nuk bëni gabime nëse ndërtoni miqësi. Presim, siç edhe është njoftuar, që marrëveshja mes Maqedonisë dhe Bullgarisë të finalizohet dhe do të nënshkruhet në gusht.” – ka thënë Zhbogar, duke shpresuar se kjo do të jetë edhe temë debati në Kuvend.
D.Kërluku
Almakos.com

