Virusi Kovid-19 i shtyri edhe ngjarjet sportive në vendin tonë, “Viz Er maratona e Shkupit”, e cila ishte planifikuar të mbahet më 10 maj, do të shtyhet për 4 tetor të vitit 2020.
“Edhe pse ju vrapuesit, ashtu si ne, po përgatiteni për garën tuaj të preferuar, mirëpo janë disa gjëra që nuk mund t’i kontrollojmë në situata të caktuara, por besojmë se të gjithë do të dalim fitimtarë në fund dhe se bashkërisht do ta tejkalojmë këtë situatë. Për shkak të përkeqësimit të situatës me koronavirusin, Kovid-19, si tek ne ashtu edhe në botë, edhe për shkak të respektimit të masave të qeverisë tonë, së bashku me institucionet dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Lidhja e sporteve në Shkup si organizator i “Viz Er maratona e Shkupit” që ishte planifikuar për më 10 maj të vitit 2020, mori vendim që gara të shtyhet për më 4 tetor të vitit 2020. “Vrapimi do të të ndryshojë” është motoja e maratonës së sivjetshme, për këtë arsye qëndroni në shtëpi, rini të sigurt, që në tetor së bashku me shëndet të plotë ta vrapojmë maratonën e 16-të”, kumtuan organizatorët e “Viz Er Maratona e Shkupit”.
Prej atje raportojnë se të gjitha aplikimet mbeten të vlefshme dhe kanë kaluar në datën e re, ndërsa nëse ndonjë prej të paraqiturve është penguar të marrë pjesë në datën e re për ndonjë arsye, atyre do t’u ofrohen opsionet e mëposhtme: ndryshim të regjistrimit ekzistues në një emër tjetër për 4 tetor 2020; anulimin e regjistrimit për vitin 2020 dhe regjistrimin falas për 2021; anulimin e regjistrimit për vitin 2020 dhe pjesëmarrje në garën virtuele onlajn 2020.
“Të gjitha këto opsione do të mund të realizohen deri më 31 korrik të vitit 2020 përmes portalit të regjistrimit. Detajet do të sqarohen direkt për secilin pjesëmarrës duke dërguar një email me udhëzime specifike se si të zgjedhin opsionin e dëshiruar nëse nuk janë në gjendje të marrin pjesë më 4 tetor të vitit 2020. Regjistrimi mbetet i hapur deri më 15 shtator të vitit 2020. Më shumë informacione në www.skopskimaraton.com.mk”, informojnë organizatorët.
Organizatorët e “Viz Er Maratona e Shkupit” të gjithë qytetarëve u urojnë që në këto momente të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe ta ruajnë shëndetin e tyre dhe sipas aftësive të tyre ta ruajnë gjendjen e tyre fizike, si dhe t’i ndjekin rekomandimet e institucioneve kompetente.



