Maqedonia e zhytur në korrupsion, qëndron në një grup me Etiopinë dhe Kolumbinë

Gazetare: Evi Shkopi

Niveli i lartë i korrupsionit e ka vendosur Maqedoninë e Veriut në të njëjtin grup me vendet si Etiopia apo Kolumbia, shkruan Alsat.

Ambasadori i Holandës në vendin tonë, Dirk Jank Kop, tha se Maqedonia ka kornizë të mirë ligjore për parandalimin e korrupsionit, por e njëjta nuk zbatohet për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Sipas tij, qytetarët vazhdimisht drejtojnë gishtin nga institucionet kur flitet për korrupsion, por rrallëherë pranojnë se janë edhe ata vet që korruptojnë më dhurata mjekët, policët, apo mësimdhënësit e fëmijëve të tyre.

Korrupsioni sipas ambasadorit holandez, maskohet si mirënjohje.

“Maqedonia e Veriut, fatkeqësisht ende bën pjesë në grupin e vendeve ku vlerësohet se ka nivel të lartë të korrupsionit. Është në një grup me vendet si Etiopia dhe Kolumbia. Ky nuk është një grup ku do të kishit dashur të jeni dhe është ende shumë larg mesatares së BE-së. Të gjitha partitë politike thonë se synimi i tyre është që të bëhen anëtarë të BE-së, po nuk bashkëpunojnë për të arritur atë qëllim dhe në vend të kësaj sabotojnë njëri-tjetrin. Përgjigja është interesi dhe korrupsioni i rrënjosur thellë. Antikorrupsioni identifikon korrupsionin, Prokuroria duhet të veprojë. Interesat e Holandës në Ballkanin Perëndimorë janë të thjeshta, ne duam stabilitet dhe prosperitet”, tha Dirk Jank Kop- Ambasador i Holandës.

Biljana Ivanovska, kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion tha se parregullsitë më të shpeshta janë hasur në  dhënien e lejeve për ndërtim, planifikimin urban, menaxhimi i objekteve në pronësi shtetërore, por edhe në mbrojtjen e mjedisit jetësor si parandalimi i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës.

Sipas saj shërbimet inspektuese dhe revizioni i brendshëm nuk po funksionojnë siç duhet, ndërsa thotë se Qeveria zbaton vetëm 30% të rekomandimeve të Komisionit për Antikorrupsion.

“Gjendja momentale ngjall nevojën madje edhe për plotësim të strategjisë nacionale me sferë të re për shërbimet e inspektimit si dhe të kërkohet mënyrë që revizioni i brendshëm të funksionojë në mënyrë të pavarur. Si rezultat i ndikimit politik shfaqen më shumë situata, si: në punësim, në përzgjedhjen e strukturës së lartë drejtuese nëpër institucione, në marrëveshjet për dhënie të tenderëve, në planifikimin urban, në dhënien e lejeve për ndërtim”, u shpreh Biljana Ivanovska- Komisioni Antikorrupsion.

Tetë komuna gjatë tre viteve të ardhshme do të jenë pjesë e projektit “Mbrojtja nga Korrupsioni”, që do të realizohet  nga Qendra për Komunikime Civile.

German Filkov, nga kjo qendër, theksoi se ky projekt do të përfshijë jo vetëm komunat si institucione, por edhe institucionet që janë në kompetencë të tyre.

Ky projekt do të përfshijë komunat Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Negotinë, Strumicë, Tetovë, Çair dhe Shtip./ Alsat.mk