18 May 2018 / 15:09
Partitë politike e quajnë spekulim propozimin “Republika Maqedonia e Ilindenit” si emër të mundshëm të Maqedonisë. Subjektet nuk e komentojnë nëse si i tillë, propozimi është ose jo i pranueshëm. VMRO-DPMNE-ja i quan spekulime informacionet e dala në media. Partia opozitare kërkon takim liderësh për t’i njoftuar me rrjedhën e bisedimeve.
Sipas informacioneve që VMRO-DPMNE-ja i posedon, deri tani bëhet fjalë për spekulim. Ne si parti serioze dhe më e madhe në Maqedoni, nuk komentojmë spekulime. Sot edhe njëherë kërkuam takim liderësh me qëllim që t’i anashkalojmë këto spekulime dhe të informohemi se çfarë është ajo për të cilën po negocion Qeveria Zaev dhe LSDM-ja – deklaroi Igor Janushev, Sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.
Edhe LSDM-ja e quan spekulim propozimin e mundshëm. Sipas tyre, çështja është e ndjeshme dhe se në këto momente duhet unifikim i faktorëve politik në vend.
Për një çështje kaq thelbësore për qytetarët dhe vendin, nuk do të kisha dashur të spekuloj. Nga Greqia tani procesi u hodh në Maqedoni dhe të gjithë faktorët politik do ta debatojnë zgjidhjen e mundshme ku edhe do të pritet produkti final – tha Kosta Kostadinov, Deputet i LSDM-së.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një postim në Facebook duke mos precizuar qëndrimin u shpreh shkurt se mirëpret cdo veprim drejtë zgjidhjes së emrit.
Mirëpres lajmet e mira nga Sofja dhe progresin e bërë në rrugëtimin tonë euro-atlantik. Çdo hap para në gjetjen e kompromisit me Greqinë është hap i madh për Maqedoninë drejt portave të Unionit dhe Aleancës – u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Lëvizja Besa e Bilall Kasamit duke mos komentuar konkretisht, mbajnë qëndrimin se emri i ri nuk duhet të përfaqësojë vetëm njërën etni.
Lëvizja Besa është për një zgjidhje të shpejtë dhe zgjidhje e cila nuk identifikon vetëm një etnitet ose bashkësi fetare. Çështja e emrit duhet në vete të ngërthen realitetin multi etnik dhe multi fetar të shtetit – theksoi Abdush Demiri, nënkryetar i Lëvizjes Besa.
Edhe krahu i Afrim Gashit nuk komentojnë një propozim siç e quajnë ata jo zyrtarë.
Edhe pse ky propozim u potencua nga kryeministri i vendit, ai ende nuk është propozim zyrtar për emrin e ri të shtetit. Derisa nuk nuk kemi një propozim zyrtarë, ne si Lëvizje Besa nuk do të komentojmë – deklaroi Orhan Murtezani, Zëdhënës i Lëvizjes Besa.
Aleanca për Shqiptarët pret propozimin zyrtarë nga Qeveria dhe kryeministri, të cilin më pas do ta shqyrtojnë organet partiake dhe të prononcohen. Aleanca kërkon konsensus të gjerë brenda faktorëve politik në vend me qëllim arritjen e zgjidhjes së pranueshme për të gjithë. Nga PDSH e Menduh Thaçit tashmë si pjesë e Qeverisë, ishin të pakapshëm për të komentuar propozimin e mundshëm.
Adrian Kerimi


