Për më 23 nëntor është caktuar që të mbahet seancë e përbashkët mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Bullgarisë. Seanca e përbashkët do të mbahet në Strumicë, ndërsa këtë e ka bërë të ditur vetë qeveria maqedonase nëpërmjet një njoftimi ku thuhet se janë paraparë të diskutohen projektet konkrete për bashkëpunim mes këtyre dy vendeve.
QEVERIA E MAQEDONISË
“Mundësitë për aktivizim të marëdhënieve në mes Ministrive të Punëve të Jashtme, ndërveprimi dhe ndihma e ndërsjelltë gjatë fatkeqësive, mbështetje në trajnimin dhe përgatitjen e ushtarëve dhe forcave të armatosura të Republikës së Maqedonisë, bashkëpunim në fushën e telekomunikacionit, investimeve dhe energjisë, janë çështjet të cilat do t’i bisedojnë qeveria maqedonase dhe ajo bullgare në seancën e përbashkët e cila do të mbahet më 23 nëntor në Strumicë”
Po ashtu në njoftim thuhet se do të nënshkruhen edhe dokumente dypalëshe, të cilët do të jenë dëshmi për marrëveshjet e arritura dhe progresin që do të kenë në aspekt të bashkëpunimit shteti i Maqedonisë dhe Bullgarisë.
QEVERIA E MAQEDONISË
“Bazuar në marrëveshjet e arritura dhe në bazë të Marrëveshjes për Miqësi, Bashkëpunim dhe Fqinjësi të mirë, do të nënshkruhen dokumente dypalëshe. Progresi i marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Bullgaisë dhe Republikës së Maqedonisë do të shënohet me miratimin e një deklarate të përbashkët”.
Seanca në mes qeverisë së Maqedonisë dhe Bullgarisë është caktuar që në kohën kur Kryeministri Bojko Borisov ishte në vizitë zyrtare në Shkup, në fillim të gushtit të këtij viti, kur dhe është lidhur Marrëveshja për Miqësi dhe Bashkëpunim dhe Fqinjësi të mirë mes dy shteteve. Emine Ismaili /SHENJA/

