Për krizën energjetike duhet të ketë përgjegjësi, ndaj duhet shkarkuar udhëheqësit e KRRE-së, EMV-së, por edhe ministri i Ekonomisë dhe zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike, shkruan Alsat.
Kjo është kërkesa e Odës Ekonomike të Energjetikës të dorëzuar në Qeveri. Sipas tyre, këto vende duhet të menaxhohen nga njerëz që janë ekspert në këtë fushë, në mënyrë që vendi të dalë më shpejt nga kriza energjetike. Nga Oda shpresojnë se në dy javët e ardhshme do të thirren në Qeveri për të gjetur një zgjidhje, në të kundërtën paralajmërojnë protesta.
“Për të shpëtuar qytetarët dhe kompanitë, duhet që në ato vende të qëndrojnë njerëzit e asaj fushe, jo të punojë ekonomistë apo juristë dhe t’i zgjidhin problemet në krizën energjetike. I kemi dhënë afat kryeministrit që ta shqyrtojë kërkesën me të gjitha pikat, energjinë termike, krizën energjetike, problemet me BEG-un, të diskutojmë në detaje, presim bisedime të suksesshme dhe të na dalë në ndihmë për t’i marrë ato funksione dhe më pas të stabilizohet dhe të kthehet në gjendje normale si një vit më parë”, deklaroi Gjorgi Manaskov, Kryetar i Odës Ekonomike të Energjetikës.
Krahas kërkesave për largim nga puna, ata kërkojnë që të mos lejohet rritja e çmimit të energjisë elektrike, të kthehet tarifa e lirë ditore, të hiqet TVSH-ja e energjisë elektrike për të gjitha kompanitë për tre muajt e parë dhe të subvencionohen kompanitë prodhuese të rrezikuara. Tani për tani qeveria ka bërë të ditur se do të ketë një sërë masash të reja që do të mbulojnë kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, por edhe se ka mundësi që TVSH-ja e ulur në 5 për qind të mbetet deri në përfundimin e krizës energjetike. /Alsat.mk