Mbrëmjen e 28 marsit, tre ditë pas vrasjes dhe zhdukjes së Ilara Sulës, ish i dashur i saj, Mark Samson, autor i krimit, ka dalë për të ngrënë pica me një shokun e tij, ndërkohë që të gjithë kishin ngritur alarmin për zhdukjen e 22-vjeçares shqiptare.
Shoku i Mark Samson, ka deklaruar se atë natë gjithçka i ishte dukur normale, por gjatë udhëtimit me makinë, ai ka vënë re se tapiceritë e mjetit ishin të ndotura me baltë dhe se Marku kishte në xhep dokumentin e identifikimit të Ilarias.
“Me Markun u takuam mbrëmjen e 28 marsit, dolëm për të ngrënë një picë. Dukej gjithçka normale, megjithatë, kur hipa në makinë, vura re një gjë të çuditshme dhe ia thashë se tapiceritë ishin plot me dhe, edhe makina ishte e ndotur nga balta. Atëherë, Marku më kërkoi të shkojmë të lajmë makinën. Vura re një tjetër gjë të çuditshme, ai kishte në xhep dokumentin e Ilaria-s”, ka treguar ai sipas mediave italiane.
Kujtojmë se trupi i Ilarias u gjet disa ditë pas zhdukjes së saj në një valixhe të hedhur në një humnerë, dhjetëra kilometra larg banesës së ish partnerit të saj, ku ai e vrau duke e goditur tre herë me thikë në qafë.
Sipas hetuesve, makina në fjalë është mjeti me të cilin ai largoi nga banesa e tij drejt asaj zone trupin e Ilarias.
Mark pranoi krimin dhe tregoi vetë vendin ku kishte hedhur trupin e saj, ndërsa thikën me të cilën kreu vrasjen tha se e hodhi në një kosh mbeturinash, por nuk është gjetur ende.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe rolin e prindërve të tij, të cilët ai nuk i përmendi gjatë hetimit por tha se gjithçka e kishte kryer i vetëm. Pavarësisht pretendimeve të tij, tashmë autoritetet italiane kanë marrë nën hetim nënën e tij, pasi dyshohet se ajo ka ndihmuar të birin të fsheh turpin e 22-vjeçares.
Siç raporton LaPresse, nëna është nën hetim për ndihmë në fshehjen e trupit të pajetë, pasi dyshohet se ajo ka dëgjuar klithmat e 22-vjeçares në dhomën e gjumit dhe ka hyrë dhe ka parë trupin e pajetë të vajzës.
Ajo, pas kësaj, ka ndihmuar djalin të pastrojë vendin e krimit, i cili ndodhi në apartamentin e tyre në rrugën Homs, në lagjen Afrikano. Të hënën, më 7 prill, në orën 14:00, nëna e Samson do të merret në pyetje në zyrat e Seksionit të Vrasjeve të Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Policisë së Romës.
Policia shkencore gjithashtu raportohet se ka bastisur apartamentin e Markut, ku Ilaria kishte hyrë e gjallë më 25 mars, dhe ka sekuestruar disa prova, përfshirë thika dhe një kompjuter, për të hetuar nëse vrasja ishte e parashikuar.