Të tjera detaje janë zbardhur nga seanca gjyqësore këtë të hënë në Gjykatën e Korçës ndaj 61-vjeçarit Jani Kallanxhi, i cili është arrestuar pasi akuzohet për abuzimin seksual të vajzës së tij të mitur, 6-vjeçare.
Por përveçse e ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij, 61-vjeçari ka ngritur alibi që të bijën ia kanë ngacmuar të tjerë persona. I pandehuri ka deklaruar para togave të zeza se, vajzën e tij e kishte marrë disa ditë më parë pronari i një lokali me bashkëshorten, sepse donin t’i bënin një surprizë sipas tij.
“Kam dyshime që ata mund ta kenë ngacmuar vajzën”, mësohet të jetë shprehur ai para gjykatës.
Kallanxhi ka deklaruar gjithashtu se ka kërkuar ndihmë nga bashkia, prefekti dhe shoqata të ndryshme për ushqime dhe për ta çuar vajzën në Tiranë, pasi e ka të sëmurë.
Burime zyrtare nga Prokuroria e Korçës thonë se akuzat e 61-vjecarit për përfshirje të personave të tjerë në akte abuzimi ndaj të miturës janë alibi. I vetmi person i vënë nën akuzë për ngacmimin e të miturës, dokumentuar edhe me prova filmike dhe dëshmi, është i ati i saj.
Mësohet se nëna e 6-vjeçares është me probleme të shëndetit mendor, ndërsa vajza e mitur ka pësuar humbje të shikimit në njërin sy.
Kujtojmë se, disa ditë më parë, Jani Kallanxhi, kërkoi ndihmën e emisionit investigativ ‘Fiks Fare’, pasi sipas tij jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike. Jani thoshte se kur vajza e tij Ilirjana erdhi në jetë, ishte i detyruar ta linin ne jetimoren e qytetit të Korçës pasi nuk kishin me çfarë ta rrisnin.





