PD-ja përmes koordinatorit rajonal për Tiranën, Klevis Balliut, përmes një deklarate për mediat ngriti dje një sërë akuzash mbi një zinxhir vendimesh të dyshimta, që lidhen me emërimet dhe shkarkimet në sektorin energjetik.
Në qendër të kësaj skeme përmendet emri i Erind Sulos, i cili u emërua drejtor dhe administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) më 13 mars 2024, për t’u shkarkuar vetëm katër muaj më vonë pa një motivacion të qartë. Balliu argumenton se ky largim mund të ketë lidhje me ngjarjen e bujshme të arrestimit të Fredi Belerit dhe rolin e zyrtarëve të lartë në kurdisjen e çështjes së tij.
Sipas tij, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është pjesë e kësaj skeme, e cila kulmoi me një emërim të pazakontë pas arrestimit të prokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, më 29 korrik 2024. Vetëm një ditë pas këtij arrestimi, bordi drejtues i KESH-it emëroi si drejtor të ri Erald Elezin, i cili rezulton kunati i prokurorit të arrestuar. Kjo lëvizje ka ngritur dyshime mbi një përpjekje për të garantuar heshtjen e Zarkës dhe për të mbrojtur interesa të fshehta brenda qeverisë.
Deklarata e plotë e PD-së:
Më datën 13 mars 2024, Erind Sulo emërohet administrator dhe drejtor i ri i Korporatës Elektroenergjetike shqiptare. Por, për habinë e të gjithëve, ai shkarkohet nga kjo detyrë 4 muaj më pas. Motivacioni i shkarkimit të tij mbeti mister, pasi nuk rezultonte që ai të kishte ndonjë problem, nuk rezultonte të kishte mosmarrëveshje me ministren e Energjisë, Belinda Balluku, përkundrazi ai u pa në rrethin e ngushtë të Ballukut dhe mori mbështetjen e saj pas shkarkimit.
Por, motivi i shkarkimit të Erindi Sulos do mbetej mister deri sa një informacion i siguruar nga burime shikohet nga aktet zyrtare se shkarkimi i Erind Sulos mund të lidhet në fakt edhe me lojën e bërë ndaj Fredi Belerit, që rezulton se arkitektë mund të jenë jo vetëm Edi Rama, por edhe Belinda Balluku. Në vitin 2023, dy ishin funksionarët e policisë dhe prokurorisë, të cilët dyshohet se kurdisën kurthin ndaj Fredi Belerit. Ish-prokurori i rrethit të Vlorës, Aurel Zarka, gjithashtu i lidhur me Belinda Ballukun, dyshohet nëpërmjet kunatit të tij të quajtur Erald Elezi, i cili në vitin 2023 punonte në ARRSH me emërim direkt të Ballukut.
Një vit më vonë, më 29 korrik 2024 ndodhi që Prokuroria e Posaçme Shqiptare SPAK arrestoi prokurorin e Vlorës, Aurel Zarka në bazë të një procedimi të autoriteteve belge në lidhje me transkiptimet e telefonave SKY ENCRO. Vetëm 24 orë më vonë nga arrestimi i prokurorit Zarkaj, rezulton se është mbledhur bordi drejtues i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare KESH dhe ka shkarkuar nga detyra drejtorin Erindi Sulo, për ta zëvendësuar atë me urgjencë me kunatin e prokurorit të arrestuar, Aurel Zarka. Nga aktet zyrtare rezulton se më datën 30 korrik 2024, bordi drejtues i KESH ka bërë emërimin e drejtorit dhe administratorit të ri të këtij institucioni, Erald Elezi. Shtetasi Erald Elezi rezulton kunati i prokurorit të arrestuar Aurel Zarka. Ne deklarimin e pasurisë që ka bërë në institucionet shtetërore, në deklaratë gjenden edhe të ardhurat e detajuara të bashkëshortes së zotit Zarka, shtetases Suela Zarka (Elezi) e cila rezulton e bija e Hysni dhe Hurma Elezit, e datëlindjes 11 qershor 1981. Njësoj rezulton edhe drejtori i KESH, i biri i Hysni dhe Hurma Elezit, i lindur më 13 janar 1992. Pra, rezulton se prokurori Aurel Zarkaj ka për grua të motrën e Erald Elezit, i cili është emëruar drejtor i KESH 24 orë pas arrestimit të prokurorit Zarka.
Po ashtu, nga administrimi i të dhënave zyrtare rezulton se në dhjetor 2023, dy motrat Suela Zarka dhe Algerta Elezi kanë themeluar në Tiranë kompaninë tregtare “CITY LOCKERS”, ç’ka është tregues se të dyja motrat me të vëllanë janë në marrëdhënie të ngushta jo vetëm si lidhje biologjike, por dhe si lidhje biznesi. Nga sa më sipër, mund të arsyetohet se urdhrin e Ramës nga pikëpamja operative e ka ndjekur Lubi Balluku. Kur ndodhi e papritura një vit më vonë dhe SPAK arrestoi më 29 korrik 2024 prokurorin Zarka, Belinda Balluku për 24 orë ka emëruar kunatin e tij Erald Elezi si drejtor të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për t’i dhënë garanci se nuk e kishte shitur dhe as e kishte lëshuar. Erald Elezit i është dhënë aseti më i rëndësishëm i infrastrukturës kritike të energjisë, mbase si garanci që Aurel Zarka të mos flasë dhe të mos tregojë të vërtetat që di ai. U bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë lidhjet e Belinda Ballukut me këto aksione.
/Gazeta Panorama