LSDM ka ngritur shqetësime për cilësinë e ujit të pijshëm në disa vendbanime të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik.
Anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Jon Frçkoski, deklaroi se aktualisht uji nuk është i përshtatshëm për konsum në shtatë vendbanime – Gostivar, Vallandovë, Krushevë, Pllasnicë, Prilep, Leshkë dhe Preglovë.
“Pyetja është se cili qytet është i radhës”, tha Frçkoski, duke shprehur shqetësimin se problemi mund të prekë edhe zona të tjera.
Sipas tij, për shkak se burimi i Studençicës furnizon me ujë edhe Kërçovën, Makedonski Brodin dhe Dollnenin, ekziston rreziku që edhe këto vende të përballen me probleme të ngjashme.
Frçkoski akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Hristijan Mickoski se nuk po reagojnë siç duhet ndaj situatës me furnizimin me ujë të pastër, duke theksuar se, sipas tij, prioritet duhet të jetë shëndeti i qytetarëve.
“Ndërsa hapen projekte të tjera, uji në shtatë vendbanime është i papërshtatshëm për t’u pirë dhe shqetësime ka edhe për ndotjen e lumenjve Lepenec dhe Vardar. Nevoja më themelore e qytetarëve për ujë të pastër dhe të sigurt është vënë në pikëpyetje”, deklaroi Frçkoski.
Ai kritikoi gjithashtu vendimin për ndarjen e mjeteve për organizimin e festimeve të pavarësisë, duke kërkuar që ato fonde të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit.
“Është e papërgjegjshme të shpenzohen 5 milionë euro për festa, ndërsa qytetarët përballen me mungesë të ujit të sigurt. Këto mjete duhet të investohen në impiante për trajtimin e ujit, stacione filtrimi, rezervuarë, rinovimin e rrjetit të ujësjellësit dhe instalime të reja”, tha ai.
Sipas Frçkoskit, një festim më modest i përvjetorit të pavarësisë do të ishte më i dobishëm nëse do të kontribuonte në sigurimin e ujit të pastër për qytetarët.
Ai pretendoi se qeveria ka miratuar sigurimin e 300 milionë denarëve, rreth 5 milionë euro, nga dividendi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore për vitin 2024, mjete që do të përdoren për financimin dhe sponsorizimin e aktiviteteve festive për përvjetorin e pavarësisë.
“Bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve dhe për ujin. 5 milionë euro janë shumë para dhe ato mund të përdoren për t’u siguruar qytetarëve ujë të pastër dhe të shëndetshëm”, përfundoi Frçkoski.



