Alsat-M 2019-09-06T15:19:38+02:00
Partia e kryeministrit Zaev kërkon që lëndët e PSP-së, të mbetura në gjysmë të procedohen dhe të zbardhen plotësisht. Zëdhënësi i LSDM-së Kostadin Kostadinov thotë se nuk do të ketë amnisti për askënd dhe se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, duhet të përgjigjen penalisht.
Të gjitha ato lëndë duhet të vazhdojnë të procedohen dhe të marrin epilog gjyqësorë që të ketë drejtësi. Maqedonia e Veriut është shtet i së drejtës ndërsa ligjet vlejnë për të gjithë pa përjashtim. Për të gjithë të cilët në mënyrë transparente përmes procedurave gjyqësore do të vërtetohet se ka vepruar jashtë ligjit, do të mbartë përgjegjësi ashtu siç e parasheh ligji në RMV. Amnisti nuk ka e as nuk do të ketë për askënd”.- tha Kostadin Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja dyshon në drejtësinë e organeve ndjekëse duke akuzuar se prokurorja të cilën LSDM e propozoi për shefe të prokurorisë së re për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë, është e komprometuar.
Hetimi për rastin “Reket” është komprometuar dhe devalvuar. Marrja në pyetje e të përfshirëve në rastin “Reket” është vonuar më shumë se 4 muaj. Vilma Ruskoska e ka komprometuar të gjithë hetimin me stërzgjaten e të gjithë rastit. Duke e zgjatur hetimin, Ruskoska i mbështet porositësit e vërtetë të zhvatjes milionëshe. Të gjithë e dinë se “Boki 13” nuk e ka bërë vetë zhvatjen”.- theksoi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së
VMRO-DPMNE-ja vazhdon të ngrejë dyshime në opinion, duke lidhur emrat e funksionarëve të lartë të LSDM-së me rastin “Reket”. Opozita thotë se për tu kthyer drejtësia në vend, janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ndryshimi i pushtetit.
Besian Leka
Loading…



