Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, duke i bërë përgjegjës për situatën me Alta Bankën, e cila, sipas LSDM-së, është në falimentim.
Në reagimin e saj, LSDM pretendon se Mickoski dhe Sllaveski e sollën në Maqedoni bankën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa qytetarët tani nuk mund të kenë qasje në paratë dhe kursimet e tyre.
“Qytetarët në Maqedoni nuk mund të vijnë deri te paratë e tyre, te kursimet e tyre. Njerëzit që jetojnë nga ndihma sociale nuk kanë me çfarë t’i mbulojnë shpenzimet dhe nuk mund t’i tërheqin mjetet”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga kjo parti thonë se degët e bankës nuk punojnë, ndërsa qytetarët presin me orë të tëra para bankomateve. Sipas tyre, vetëm kompanive u është mundësuar transferimi i lirë i parave.
LSDM pretendon se Qeveria e Mickoskit hapi rrugën për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni, ndërsa guvernatori Sllaveski dha pëlqimin për marrjen e Bankës Ekonomike të Manastirit. Partia thotë se kishte paralajmëruar për kapitalin e dyshimtë të bankës që para 11 muajsh.
“Skandali me Alta Bankën dëshmoi se ajo ishte një lavatriçe parash për sindikatën mafioze SNS të Vuçiqit në Serbi dhe VMRO-OKG të Mickoskit në vendin tonë”, thuhet më tej në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare kërkon përgjegjësi politike dhe penale për këtë çështje. Ajo i bëri thirrje Trajko Sllaveskit të japë dorëheqje, me qëllim që të parandalohen, siç thotë, vendime të tjera të dëmshme.
Gjithashtu, LSDM kërkon që Prokuroria të hapë hetim dhe të ndjekë penalisht Mickoskin, Sllaveskin dhe të gjithë personat e lidhur me Alta Bankën.
Akuzat dhe pretendimet e paraqitura në reagim janë qëndrime të LSDM-së.



