07 October
Partitë politike kanë ndryshuar qasjen në fushatë parazgjedhore. Analistët konstatojnë se për dallim nga fushatat e kaluara, fushata për zgjedhje lokale bazohet kryesisht në projekte konkrete dhe jo në patriotizëm dhe folklorizëm, siç ishte praktikë e cikleve të kaluara zgjedhore. Analisti Albert Musliu meritat për vetëdijesimin e subjekteve politike ia faturon qytetarëve.
Mendoj se kjo vjen falë një vetëdijesimi të qytetarëve. Zakonisht partitë politike reflektojnë në nevojën dhe kërkesën e qytetarëve. Nga vetë fakti që partitë politike janë zbutur në retorikën e tyre, kanë filluar të insistojnë në personalitetet e tyre dhe me projekte konkrete, nënkupton se ata i përgjigjen kërkesës së qytetarëve dhe të opinionit. Vlen të thuhet se fushata politike tek subjektet shqiptare kësaj radhe është shumë më e afërt me qytetarët – deklaroi analisti Albert Musliu.
Nga ana tjetër Petar Arsovski thotë se qytetarët çdo ditë e më tepër afrojnë bashkëpunimin me krerët e komunave për nevojat e tyre ditore. Sipas tij, kjo ka ndikuar që kandidatët t’i përshtaten kërkesave të qytetarëve.
Fushata mbi bazat e patriotizmit dhe ksenofobisë më shumë i ka sjell dëm partive se sa përfitime. Tashmë më njohjen e kompetencave të kryetarëve të komunave, qytetarët janë mësuar me qasjen e tyre deri tek krerët e komunave dhe kjo ka bërë që ata të vlerësojnë projekte konkrete për nevoja të përditshme. Këto dy faktorë bëjnë që partitë të orientohen nga projektet konkrete dhe jo nga shpërqendrimet patriotike dhe simbolet në këtë fushatë – tha analisti Petar Arsovski.
Për dallim nga zgjedhje parlamentare, partitë politikë për zgjedhjet lokale përveç largimit të retorikës kanë shmangur edhe shfrytëzimin e sloganeve patriotike dhe folkloriste.
Adrian Kerimi

