Lojërat politike dhe kalkulimet partiake rrezikojnë të lënë edhe më tej pa paga 500 të punësuar në administratën, ndërmarrjet dhe shkollat fillore të kësaj komune të cilët edhe ashtu tani e dy muaj nuk kanë marrë paga. Sindikata rajonale e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë anuloi protestën e paralajmëruar për sot pas premtimit që kishin marë nga kryetari i Këshillit të Komunës se brenda dy ditëve do të zgjidhet ushtruesi i ri i detyrës kryetarë komune, pas vrasjes së ish kryetarit Azbi Idrizi dy muaj më parë. Por, burime brenda komunës i kanë konfirmuar televizionit Shenja se situata në çdo çast vështirësohet edhe më shumë pikërisht për shkak të lojërave politike dhe marëveshjeve ndërpartiake që zhvillohen në momentet e fundit. Sipas të njëjtit burim, BDI tanimë ka humbur shumicën në këshillin komunal dhe se shumicën e re tani e përbëjnë këshilltarët e PDSH-së, RDK-së dhe një këshilltar i pavarur, i cili është larguar nga BDI.
Ky i fundit është pretendent për të marrë ulësen e ushtruesit të detyrës së kryetarit dhe i njëjti ka pasur mbështetjen e këshilltarëve të opozitës. Këshilltarët të cilët në vitin 2013 garuan nën siglën e PDSH-së dhe ata të RDK-së, kanë kërkuar që kryetari i këshillit të thërret mbledhjen dhe nëse ai nuk e bën këtë ata kanë paralajmëruar se vetë do të inicojnë mbledhje dhe në prezencë të një inspektori të Ministrisë së Pushtetit Lokal do të zgjedhin kryetarin e përkohshëm deri në zgjedhjet lokale. Por, ajo që ka komplikuar edhe më shumë situatën, sipas burimeve të Televizionit Shenja janë marrëveshjet e liderëve partiak që janë bërë në momentet e fundit. Sipas informatave jozyrtare, njëri nga liderët e partive opozitare ka kërkuar nga këshilltarët e partisë së tij që të mbështesin kandidatin e BDI-së.
Por, kjo marrëveshje komplikon edhe më shumë situatën pasi barazon shifrat në këshill dhe nuk i jep shumicën e nevojshme asnjërit bllok, as BDI-së dhe as grupit të këshilltarëve opozitarë. Në këtë rast asnjëra palë nuk ka as kuorum e as shumicën e nevojshme për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës kryetar komune. Nëse kjo ndodh atëherë të punësuarit në administratë, ndërmarrje dhe shkollat e Komunës së Bogovinës do të ngelin edhe pa pagën e tretë. Paga për muajin qershor ligjërisht duhet të paguhet më së voni deri më 15 korrik, që nënkupton se për realizimin e kësaj pagese kanë në dispozicion vetëm edhe katër ditë.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Lojërat e brendshme në Bogovinë, mbesin pa paga… by tvshenjaofficial

