Postimi i plotë i nënkryetarit të ASH Krenar LLoga:
▪︎ Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të ndahen nga procesi i përbashkët i integrimit europian. Edhe pse kjo mund të duket patetike, është e domosdoshme për të gjithë ne që jetojmë në Maqedoni. Para disa vitesh, ishte Maqedonia e Veriut ajo që, edhe pse dukshëm më e avancuar në shumicën e standardeve, u “sakrifikua” për shkak të Shqipërisë, dhe kjo u mbështet heshturazi dhe publikisht. Sot, e njëjta logjikë, e njëjta gjeopolitikë dhe e njëjta gjeostrategji duhet të vlejnë edhe në të kundërtën; duhet t’u ndihmohet qytetarëve të këtij vendi dhe këtij procesi (edhe pse miqtë ndërkombëtarë kanë bërë shumë).
Tani më, për fat të keq, pas 100 ditësh qeversje të re është bërë e qartë se dikush i ka mashtruar në masë të madhe votuesit maqedonas duke premtuar se do të rinegocioj procese, dhe nëse sot ne lihemi në rënie të lirë, atëherë veçse i keni dhuruar një dhuratë linjës anti-EU, “Srpski svet”-it, Rusisë dhe atyre që dëshirojnë konflikte në Ballkan. Ne jemi si nxënësi i keq që, pa përdorur presionin dhe disiplinën, nuk i bën detyrat. Prandaj, na jepni më shumë shkopinjë, por mos na ngelni në klasë.
Europa pa Maqedoninë e Veriut nuk është e plotë!