Kërcënimet e qeverisë me gjoba të rënda për personat që përfshihen në akte dhune nuk i kanë ndalur protestuesit. Mijëra qytetarë dolën sërish këtë të shtunë në rrugët e Tiranës, në ditën e 161-të të protestës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, ku studentët dhe qytetarët u mblodhën për të shprehur pakënaqësitë e tyre, dhe më pas vijoi në drejtim të Kryeministrisë. Gjatë marshimit dhe tubimit u dëgjuan thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, por edhe kundër kreut të opozitës, Sali Berisha.
Protestuesit kërkojnë largimin e të dyve nga skena politike, duke artikuluar pakënaqësinë ndaj klasës aktuale politike dhe kërkesën për një ndryshim të saj.
Edhe këtë të shtunë, protesta u shoqërua me tensione dhe akte dhune. U dogjën kazanë mbeturinash, ndërsa në drejtim të policisë dhe institucioneve u hodhën sende të forta. Këto zhvillime erdhën pavarësisht paralajmërimeve të qeverisë për masa dhe gjoba të ashpra ndaj personave që përfshihen në akte të tilla. Gjobat siç duket nuk e zbehin revoltën e të rinjve dhe të qytetarëve.
Në thelb, protesta e sotme nuk solli ndryshime në raport me tubimet e ditëve të mëparshme.
Studentët dhe qytetarët vijuan qëndrimin e tyre në rrugë, ndërsa kërkesat dhe thirrjet politike mbetën të njëjta, duke e mbajtur të ndezur revoltën që vijon prej 161 ditësh.
<!– Panorama TV desktop
fund Panorama TV–>
<!– Panorama TV mobile
fund Panorama TV–>



