Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka reaguar pas sulmit me armë në sheshin kryesor të Krakovit, ku u vranë gjashtë persona dhe u plagosën më shumë se dhjetë të tjerë.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga raportet për ngjarjet tragjike”, deklaroi Nawrocki.
“Mendimet e mia janë me viktimat, të prekurit dhe familjet e tyre”, shtoi ai.
“Mbetem në kontakt me autoritetet përkatëse dhe pres një zbardhje të plotë të rrethanave që lidhen me këto ngjarje dramatike. Kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare është rrugës për në Krakov. Siguria e popullit polak është prioritet absolut”, theksoi presidenti polak.
Sulmi ndodhi rreth orës 15:00 në Rynek Główny, në qendrën historike të Krakovit.
Sipas policisë, një burrë hyri me veturë në shesh dhe filloi të qëllonte ndaj kalimtarëve.
Gjashtë persona u vranë dhe më shumë se dhjetë të tjerë u plagosën. Në mesin e të plagosurve ka edhe zyrtarë policorë.
Policia konfirmoi se sulmuesi u plagos gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit dhe më pas u arrestua. Ai është transportuar në spital.



