25 Nëntor 2018 / 16:46
Ka përfunduar debati publik rreth ndryshimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, që sipas propozimit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale ka për qëllim transformimin e shtesave për fëmijën e tretë në pagë të njëhershme për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë. Ministria e Punës konfirmoi për Alsat se tani propozim ligji po përgatitet për në procedurë qeveritare, por pa saktësuar se kur do t’i dorëzohet ekzekutivit.
U realizuan debatet publike sa i përket ndryshimeve në Propozim- Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe i njëjti si Propozim Ligj po përgatitet për procedurë qeveritare. Reforma në shtesat për fëmijën e tretë është bërë në përputhje me rekomandimet e Bankës Botërore. Kjo reformë është një nga seria e reformave që janë vlerësuar dhe mbështetur pozitivisht në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar”- thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Sociologia, Ardita Abduli dyshon se transformimi i shtesave për fëmijën e tretë bëhet për shkak se ato deri tani kanë stimuluar lindjet vetëm te popullata shqiptare dhe jo te ajo maqedonase. Sipas Abdulit kjo reformë do të sjellë pasoja negative, duke ndikuar në uljen e lindjeve, ikjen e të rinjve jashtë vendit dhe plakjen e popullsisë.
Pasojat ne do t’i ndjejmë vetvetiu si shoqëri por edhe vetë shteti për shkak se duke e pasur parasysh që kjo heqje e shtesave do ta përshpejtojë ritmin e plakjes së popullsisë, nuk përjashtohet mundësia që për një periudhë të shkurtër kohore të bie edhe aktiviteti i punës nëpër institucione. Dhe me rënien e aktivitetit nëpër institucione pasojat do të gjenerohen edhe në çdo segment të jetës shoqërore, pra nuk do të kemi popullatë aktive, popullatë rinore që do të jetë prezente në kryerjen e shërbimeve publike brenda shtetit”- u shpreh Ardita Abduli, sociologe.
Sipas të dhënave të prezantuara nga ekspertët, gjatë tetë viteve të fundit është ruajtur mesatarja e lindjeve vjetore prej 23 342 lindje në vit, ndërsa shtesat për fëmijën e tretë i kanë shfrytëzuar më së shumti familjet shqiptare, edhe atë 45,6%. Partitë politike shqiptare, si ato në opozitë ashtu edhe ata në pushtet, kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike reformën e propozuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, madje duke u shprehur të bindur se e njëjta do të bie në seancën e qeverisë dhe nuk do të shkojë në procedurë parlamentare. Ndërsa qytetarët në të gjitha anketat e deritanishme janë shprehur të dëshpëruar, duke thënë se shtesa për fëmijën e tretë ka qenë lehtësim për familjet, madje për shumë prej tyre edhe ndihma e vetme financiare.
Anesa Salihu
Loading…


