Projekt ligji për energjetikë tashmë ka marrë dritën jeshile nga qeveria dhe pritet t’i kalojë dhe procedurat parlamentare me flamurin evropian, ku janë të inkorporuar 5 direktiva dhe 3 rregullativa të Komisionit Europian.
Qëllimi kryesor është furnizimi cilësor i besueshëm dhe i sigurt energjetik . Me këtë ligj parashihet dhënia fund e monopolit, duke u mundësuar konsumatorëve të përzgjedhin vet furnizuesin, rritja e konkurrencës, si dhe janë paraparë ndihma në formë subvencioni për kategorinë e familjeve ekonomikisht të rënduara.
“Sa i përket ndikimeve ekonomike, dua të theksoj faktin se me miratimin e këtij ligji në njëfarë mënyre do të shënohet fundi i monopolit dhe vënia e të drejtës së zgjedhjes së konsumatorit, që do të thotë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe amvisëritë mund të zgjedhin furnizuesin e tyre me energji dhe gaz natyror sipas dëshirës së tyre. Sa i përket ndikimeve sociale, është propozuar të miratohet një plan vjetor për zvogëlimin e varfërisë energjetike, sepse zgjidhjet ekzistuese që ofrojnë mbrojtje për familjet ekonomikisht të dobëta, nuk përfshijnë kategori të caktuara të konsumatorëve që kanë nevojë t’u jepet ndihmë për t’iu plotësuar nevojat për energji, siç janë punëtorët e falimentuar, pensionistët me pensione të ulëta dhe kategoritë e tjera sociale”,– deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Karakteristika kryesore që ky ligj e përmban në vete quhet ekonomia e tregut, gjegjësisht qasje e gjithë atyre që janë në këtë treg. Klientët dhe kompanitë e kanë mundësinë për zgjedhjen e furnizuesit të energjisë elektrike sipas dëshirës së tyre. Gjithmonë kur i lihet tregut të vendos kemi benefit për klientët. Ky ligj i tejkalon të gjitha monopolet dhe gjithçka i është lënë tregut, por jo gjithçka, sepse ligji siç është i rregulluar në tregun evropian, mban përgjegjësi që t’i mbrojë qytetarët e Maqedonisë që të mos paguajnë çmime të larta dhe ajo do të rregullohet nëpërmjet furnizuesit universal”,– theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koco Angjushev.
Me këtë ligj, ELEM, si prodhues i energjisë elektrike, që nga viti ardhshëm do t’i dorëzojë 80 për qind të prodhimit të tij furnizuesit universal dhe ajo përqindje do të ulet në vitet e ardhshme, ku deri në vitin 2025 ajo përqindje do të ulet në 30 për qind.
GAZMEND REXHEPI

