02 Shkurt
LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja nuk japin detaje nëse grupet e punës së dy subjekteve kanë filluar takimet për gjetjen e konsensusit politik rreth ligjeve reformuese. Ndonëse për mbrëmë ishte paralajmëruar takim i mundshëm, burime nga dy subjektet e bllokut politik maqedonas bëjnë të ditur se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Subjektet madje mbajë të izoluar edhe agjendën e mundshme e cila sipas burimeve të Alsat M, do jetë detyrë e opozitës të përcaktojë primatin e ligjeve.
Të pyetur zyrtarisht edhe nga LSDM por edhe nga VMRO-DPMNE njoftojnë se deri në fillimin e takimeve, nuk do të jepen më shumë detaje për opinionin. Formimi i grupeve të punës mes deputetëve të dy subjekteve ishte paralajmëruar edhe më herët, qëllimi i të cilëve do të jetë arritja e konsensusit politik me qëllim miratimin e ligjeve tek të cilët nevojiten 2/3 e votave. Në mesin e tyre janë: Ligji për ndjekje të komunikimeve, Ligji për Agjencinë Teknike-Operative, ndryshimet ligjore në Ligjin për dëshmitarët, Ligjin për informatorët, Ligji për KSHZ-në dhe ndryshimet në Kodin Penal. Siç mësohet, opozita do të propozojë edhe ndryshimin e procedurës për zgjedhjen e Kryeprokurorit publik, respektivisht zgjedhjen e tij me 2/3 e votave dhe me Badenter, gjë që sipas opozitës do të impononte emërim me konsensus dhe kuadër të pavarur. Për miratimin e ligjeve ose ndryshimet në ligjet e lartpërmendura nevojiten 2/3 e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Në këto takime nuk do të marrin pjesë deputet nga grupi parlamentar i BDI-së.
Adrian Kerimi

