Në datat 4, 5, 6 dhe 7 qershor, Sheshi “Skënderbe” në Çair të Shkupit do të shndërrohet në qendër të librit, kulturës dhe gjuhës shqipe, përmes një aktiviteti madhështor që do të bashkojë shkrimtarë, lexues dhe dashamirë të letërsisë shqiptare.
Ky organizim do të realizohet në bashkëpunim me Komunën e Çairit dhe Institutin e Librit dhe Promocionit, me synimin që libri shqip të afrohet edhe më shumë me publikun, ndërsa gjuha shqipe të promovohet si një nga vlerat më të rëndësishme të identitetit kulturor shqiptar.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë disa nga emrat më të njohur të letërsisë shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Mes të ftuarve do të jenë Besnik Mustafaj, Namik Dokle, Rita Petro, Rexhep Hoti, Albatros Rexhaj, Majlinda Rama dhe shumë krijues të tjerë, të cilët do të sjellin para publikut veprat, mendimet dhe përvojat e tyre letrare.
Organizatorët theksojnë se ky aktivitet nuk do të jetë vetëm një panair libri, por një ngjarje me frymë festivali, ku libri, fjala artistike dhe komunikimi në gjuhën shqipe do të jenë në qendër të vëmendjes.
Për disa ditë me radhë, Sheshi “Skënderbe” do të jetë vendtakimi i shkrimtarëve dhe lexuesve, duke krijuar një hapësirë të veçantë për bashkëbisedim, promovim të librit dhe forcim të lidhjes me gjuhën shqipe.
Ky aktivitet pritet të dëshmojë edhe një herë se libri shqip bashkon, ndërsa gjuha shqipe mbetet ura më e bukur e komunikimit, kulturës dhe identitetit shqiptar në rajon.


