Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të përmbushë zotimet e marra në kuadër të një marrëveshjeje të arritur në qershor dhe të plotësojë kushtet e Teheranit, transmeton Anadolu.
Duke iu drejtuar parlamentit, sipas transmetuesit shtetëror IRIB, Qalibaf tha se Irani “ia ka përcjellë në mënyrë të qartë kushtet e tij palës kundërshtare përmes ndërmjetësve”.
“Armiku e di shumë mirë se rruga e mashtrimit dhe imponimit të njëanshëm është mbyllur. Derisa këto kushte të përmbushen, të njihen të drejtat legjitime të kombit iranian dhe të përmbushen zotimet amerikane, nuk do të ketë mundësi për t’u kthyer në gjendjen e mëparshme të negociatave apo për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, tha ai.
Tensionet në Lindjen e Mesme u përshkallëzuan pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke e nxitur Teheranin të përgjigjej me sulme ndaj vendeve të rajonit ku ndodhen kapacitete ushtarake amerikane.
Irani gjithashtu mbylli Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët ujore më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Washingtoni dhe Teherani arritën një marrëveshje në qershor, e cila parashikonte ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe aranzhime për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim.
Marrëveshja më vonë dështoi për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy palëve lidhur me lundrimin dhe aranzhimet e sigurisë në këtë rrugë strategjike ujore.
The post Irani: Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të përmbushë zotimet appeared first on TV-SHENJA.


