08 April
Shtëpitë botuese shqiptare, pjesëmarrëse në Panaritin e librit në Shkup shprehen të pakënaqura me interesimin dhe fluksin e lexuesve shqiptarë. Disa prej tyre thonë se një gjë e tillë ka të bëjë me kulturën e të lexuarit, një pjesë tjetër fajin ia lënë internetit i cili sipas tyre ka lënë në hije librat ndërkaq disa të tjerë thonë se ndikim në këtë gjendja ka kriza ekonomike.
“Nuk është në nivelin e duhur por mirë është. Janë shumë faktorë, është edhe çështja e kulturës së të lexuarit. Shtëpia botuese Albas merret kryesisht me botimin e librave për fëmijë, ka seri të ndryshme, ka një gamë të gjerë të titujve”, tha Arife Demiri, Shtëpia Botuese “Albas”.
“Interesimi është i dobët nga ana e nxënësve shqiptarë sepse ndoshta nevojitet edhe organizim ose t’i nxisin profesorët ose arsimtarët që të vijnë në mënyrë organizative këtu. Kemi shumë libra, nga ato për shkolla fillore, lektura, libra fetar, literaturë shqiptare etj”, u shpreh Zinur Emini, Shtëpia Botuese “ Logos A”.
Botuesit nga Shqipëria thonë se përveç interesimit të dobët, ata përballen edhe me vështirësi të tjera, si shpenzimet e mëdha për pjesëmarrje në Panair.
“Numri është i pakët, kjo duket që nga salla në përgjithësi për ambientet e panairit. Kur kemi ardhur më para kanë qenë tre salla me libra, ndërsa tani është një. Të vish deri në Shkup është rrugë e gjatë, problem me doganën gjithmonë kemi pasur, problemi është se nuk kemi ftesë nga Panairi , sepse dogana nuk ka njoftim. Të paktën sipërfaqen e stendave ta mbulojë shoqata e botuesve apo ministria e Kulturës. Interneti na i ka prish punët”, deklaroi Nevin Demneri, Shtëpia Botuese “Dituria” Tiranë.
Panairi i 29-të ndërkombëtar i librit u hap të martën ndërkaq do jetë në dispozicion për vizitorët deri më 10 prill. Nga më shumë se 80 shtëpi botuese që marrin pjesë në panair, vetëm pesë prej tyre janë shqiptare.
Vjollca Aliti