Lajmi shqetësues se temperaturat e ulëta gjatë ditëve të kaluara u kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha pemëve në rajonin e Prespës dhe se në disa vendbanime nga ngricat janë shkatërruar mbi 90% të pemëve dhe, përkundër kësaj, edhe sot nuk ka asnjë veprim, qoftë edhe solidarizim nga ana e Qeverisë të Maqedonisë, respektivisht Ministrisë të Bujqësisë me bujqit e dëmtuar nga rajoni i Prespës, është shenjë se kjo qeverisje nuk çan kokë për hallet e qytetarëve të vendit, në këtë rast të bujqve.
Kur kësaj i shtohet edhe fakti që ende nuk janë paguar subvencionet nga viti i kaluar, bëhet edhe më i vështirë funksionimi i bujqve dhe kjo është edhe një dëshmi se shteti shkon drejt një kolapsit total, duke mos pasur asnjë strategji të qartë për t’i dalë në ndihmë pikërisht kësaj kategorie të qytetarëve, pra bujqve, të cilët sigurojnë të ardhurat më të larta për vetë shtetin nga veprimtaria në sferën e bujqësisë, e cila është edhe dega e vetme me të cilën mund të sigurohet mirëqenia ekonomike e Maqedonisë.
Të gjendur në këtë situatë, Lëvizja BESA kërkon nga autoritetet përkatëse që t’u ndalin në ndihmë bujqve dhe të mos lejojnë që, në mungesë të rendimenteve që ua dëmtoi natyra, të dëmtohen edhe pakujdesia e shtetit ndaj tyre. Për këtë arsye BESA apelon deri te organet kompetente që urgjentisht të dalin në vendngjarje dhe të bëjnë vlerësime për t’i rimbursuar bujqit për dëmet që i kanë pësuar nga temperaturat e ulëta të ditëve të fundit. Po ashtu apelojmë që edhe kompanitë e sigurimeve t’i përshpejtojnë procedurat për pagesat e dëmeve nga vitet e kaluara, që me këtë sadopak ta lehtësojnë ngarkesën financiare të bujqve nga dëmet që i kanë pësuar.
Këtu po ritheksojmë se për Lëvizjen BESA mbështetja e bujqve do të jetë ndër prioritetet më të larta të programit të punës sonë, ngase konsiderojmë se ky sektor është me rëndësi jetike për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.