Alsat-M 2019-09-06T14:42:31+02:00
Rasti “Reket” dhe shefja e paraburgosur e PSP-së Katica Janeva, vazhdojnë t’i lënë pas dore seancat gjyqësore të Speciales në Gjykatën Penale. Avokati i disa prej të pandehurve në rastin “Toplik”, Elenko Milanov, sot kërkoi përjashtim të prokurorit special, Burim Rrustemi, i cili e përfaqëson shefen e tij Janeva, sepse Rustemi është dëshmitar në procedurën për rastin “Reket” në të cilin u arrestua Janeva. Gjykata e refuzoi kërkesën me arsyetimin se, përkundër paraburgimit, Janeva edhe më tej është në krye të PSP-së, kështu që seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Në rastin “Toplik” i dyshuari i parë është ish-ministri i transportit dhe lidhjeve Mile Janakieski për shitje të tokës në pronësi të shtetit për ndërtimin e kompleksit të banimit “Qyteti i Diellit” në shpatet e Vodnos në komunën e Sopishtës. Në seancën gjyqësore për rastin “Target – Fortesa” nuk u zhvillua përballja e pritur për përgjimin e paligjshëm mes Zoran Verushevskit dhe Sasho Mijallkovit. Verushevski, i cili është këshilltari aktual për siguri i Kryeministrit Zaev, nuk u paraqit në seancë pavarësisht se u thirr si dëshmitar i PSP-së. Këshilli Gjyqësor konstatoi se thirrja është dërguar në një adresë shtëpie, por është lënë në kutinë postare. Verushevski nuk e ka marrë atë personalisht sepse banesa e tij vazhdimisht ka qenë e mbyllur. Pas seancës së sotme, atij do t’i dërgohet një thirrje e re, të cilën gjykata do ta përpiqet ta sigurojë për seancën e saj të radhës më 23 shtator. Prokurorët specialë Artan Ajro dhe Trajçe Pelivanov para gjykatësit thanë se nuk kishin asnjë informacion në lidhje me ndonjë ndryshim të mundshëm të vendit të punës ose adresën e Verushevskit. Pasi seanca u shty, ata nuk pranuan të komentojnë mungesën e dëshmitarit.
“A do të kërkoni që Verushevski me shoqërim policor të sillet? Çfarë do që të jetë… Do të shohim … “
Në rastin “Target – Fortesa” të akuzuar janë ish ministrja e brendshme Gordana Jankulloska, ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, shefi i Drejtorisë së pestë Goran Grujovski dhe tetë persona të tjerë. Ata akuzohen për përgjime të paligjshme të komunikimeve midis viteve 2008 dhe 2015.
Alsat
Loading…



