Alsat 2019-04-24T18:15:00+02:00
Kuvendi i ka miratuar 13 ligjet të cilat paraprakisht nuk i ka dekretuar presidenti Gjorge Ivanov. Shumica e këtyre ligjeve u mbështetën edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, pasi ishin sjellë me marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës. Edhe pse para miratimit të propozim Ligjit të plotësuar për Këshilli gjyqësor, deputetët e BDI-së Ejup Alimi dhe Artan Grubi paralajmërua debat për drejtësinë selektive ndaj shqiptarëve, duke u thirrur në ngjarjet gjyqësore lidhur me BFI-në por edhe ndëshkimin e dy të rinjve shqiptar me nga 19 vite burg, për rastin Sazdov një gjë e tillë nuk ndodhi. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi kërkoi nga deputetët që Kuvendi mos keqpërdoret për fushatë propaganduese.
Në brifing për gazetar kam paralajmëruar që debat për fushatë nuk do të lejohet për të mos u keqpërdor foltorja e Parlamentit. Mendoj që sot kush kishte çka kishte i tha në hyrje të kësaj seance parlamentare”-tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Në fillim të seancës, deputeti Artan Grubi, akuzoi gjyqësorin në vend se merr vendime selektive kundër shqiptarëve dhe myslimanëve. Akuzën për drejtësi selektive të Grubit e mbështeti edhe koordinatori i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski.
Ngjarjet e fundit të cilat ndodhën në veçanti dje në BFI të RMV, me ndërhyrje më brutale të mundshme e cila është absolutisht e papranueshme, po të njëjtën ditë ndodhi edhe një aktgjykim njëjtë skandaloz ku u dëshmua selektive, qoftë në bazë etnike qoftë në bazë fetare, qoftë në bazë partiake. Gjykohen dy të ri me 19 vjet burg në veprimin e parë”-pohoi Artan Grubi nga BDI.
Drejtësinë selektive, VMRO-DPMNE e flet më shumë se dy vite. Më vjen keq që z. Artan Grubi edhe pse dy vite e mbështet këtë Qeveri, pa se selektimi në drejtësi është i pranishëm. VMRO-DPMNE flet për këto punë dhe VMRO-DPMNE është nën sulm të drejtpërdrejtë nga kjo Qeveri dhe gjithë asaj që ndodh, pa u hapur asnjë lëndë kundër funksionarëve të këtij pushteti”-u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Qëndrimeve të Grubit dhe Mickovskit iu kundërpërgjigj deputeti i LSDM-së, Muhamet Zeqiri i cili, nuk ishte i pranishëm në sallë, andaj reagoi përmes FB-së.
Kur Ejup Alimi dhe Artan Grubi flasin për drejtësi dhe drejtësi selektive, ka vajtur puna në djall. Le të kujtohen, kush bashkë me “eprorin” vendoste gjykatës të tyre Musa Xhaferri dhe Blerim Bexheti… Ndërsa BFI është histori e posaçme, siç bëhet, kriminel mbrojnë kriminelë. Loja e BDI-së me BFI-në është e dukshme dhe është përpjekje të kërkohet arsyetime pse nuk mund të porosisin atë që e premtuan në zgjedhje”- ka shkruar Muhamet Zeqiri nga LSDM.
Gjatë fushatave parazgjedhore është bërë praktikë që Kuvendi mos të punojë për shkak që të mos keqpërdoret për propagandë. Por seanca e sotme, u caktua për tu rivotuar ligjet reformuese, të cilat presidenti Gjorge Ivanov, refuzoi të nënshkruaj, pasi mbanin emrin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Mefail Ismaili
Loading…



