01 Shkurt
Grupet e punës së VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së së shpejti do të fillojnë me takime për gjetjen e gjuhës së përbashkët rreth votimit të ligjeve reformuese. Siç bëjnë të ditur burime nga të dy subjektet, grupet do të përbëhen nga deputetët ndërsa takimet do të mbahen në përputhje me agjendën e Kuvendit. Duke u thirrur në deklaratat e kryetarit të tyre, nga VMRO-DPMNE konfirmojnë pjesëmarrjen.
Nevojitet ndërhyrja e të gjitha strukturave dhe faktorëve relevant të shtetit. Dua të përsëris, besimi nuk mund të ndërtohet dhe të shkojë vetëm në një drejtim, por duhet besim i ndërsjellët pra besimi nga shumica me qëllim që të mund të punojë edhe opozita – u shpreh Liljana Kuzmanovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM thonë shkurt se grupi i punës i këtij subjekti është formuar mbi parimin për proces inkluziv, duke shtuar se agjenda e punës i është besuar opozitës. Edhe pse nuk dihet zyrtarisht, Alsat M mëson se në mesin e ligjeve për të cilët shumica dhe opozita do të punojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët me qëllim miratimin e tyre, janë: Ligji për ndjekje të komunikimeve, Ligji për Agjencinë teknike-operative, ndryshimet ligjore në Ligjin për dëshmitarët, Ligjin për informatorët, Ligji për KSHZ-në dhe ndryshimet në Kodin Penal. Për miratimin e ligjeve ose ndryshimet në ligjet e lartpërmendura nevojiten 2/3 e votave.
Adrian Kerimi

