Partia Demokratike ka përjetuar një përçarje të thellë gjatë këtyre muajve të fundit, një përçarje që nisi me shpalljen “non-grata” të Sali Berishës. Kjo përçarje kulminoi me protesta të dhunshme në përpjekje të ish-kryeministrit për të marrë nën kontroll selinë blu më 8 janar.
Berisha dhe pasuesi i tij, kreu de juro i PD-së, Lulzim Basha e kanë çuar konfliktin e tyre edhe një hap më tej, në Gjykatë. Partia Demokratike doli kundër faktit se Agron Zhukri do të ishte gjyqtari që do të vendosë lidhur me ligjshmërinë e Statutit të ri të Partisë Demokratike, që është dorëzuar nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.
Në këtë mënyrë, më 2 shkurt PD-ja kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Zhukri, i cili ishte përcaktuar për të gjykuar çështjen e pranimit ose jo të Statutit të Sali Berishës dhe vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit. Kjo kërkesë erdhi pavarësisht faktit se gjyqtari në fjalë u caktua me hedhje shorti për të verifikuar ligjshmërinë e Statutit të PD-së.
Gjyqtari Arben Kostandini, me sa duket ka vendosur t’iu besojë deri në fund goglave për kolegun e tij jurist, pasi ka vendosur që ai të kryejë detyrën e tij për ta kryer verifikimin. Kostandini ka lënë gjyqtar Zhukrin të vendosë lidhur me ligjshmërinë e Statutit të ri të Partisë Demokratike, që është dorëzuar nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.
Kostandini e ka konsideruar kërkesën nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, të pabazuar, madje nuk e ka pranuar vendimin e kolegut për të hequr dorë nga çështja.
Kush është Agron Zhukri?
Gjyqtari Agron Zhukri, 56 vjeç, ka një karrierë të gjatë prej më shumë se dy dekadash në sistemin e drejtësisë. Në rrethet e gjyqësorit flitet se Zhukri ka qenë shofer pranë ambasadave, por gjithsesi zyrtarisht gjyqtari ka deklaruar se në periudhën dhjetor 1992 deri në qershor 1994 ka punuar pranë Ambasadës Shqiptare në Romë. Zhukri thotë se ka qenë punonjës, por pa e specifikuar punën që bënte.
Nuk dihet se si Zhukri arriti të bëhej pjesë e drejtësisë, me arsim të plotë juridik apo përmes kursit të famshëm të ‘Plepave’. Gjithsesi, Zhukri është shfaqur si ndihmës gjyqtar në procesin e famshëm të gjykimit të të akuzuarave për grushtin e shtetit të 14 Shtatorit 1998, orkestruar nga Sali Berisha.
Zhukri është pjesë e gjyqtarëve, të cilënt nuk kanë kaluar procesin e Vetingut. Procesi i verifikimit për Zhukrin ka nisur në qershor të vitit 2020, ku aktualisht nuk ka një datë të caktuar për t’u paraqitur në Komisionin e Vetingut për t’u njohur me dosjen hetimore.
Më shumë se sa për vendime, Zhukri është lakuar për pasurinë. Në vitin 2003, gjyqtari deklaron një shtëpi të ndërtuar në vitet ’90 me vlerë 3 milionë lekë, kthyer më pas në ambiente zyre për biznesin e bashkëshortes, si agjenci udhëtimi dhe sigurimesh, me vlerë investimi 2 milionë lekë.
Në vitin 2017 gjyqtari Agron Zhukri deklaron një kontratë si përfitues i një sipërfaqeje ndërtimi si pronar i truallit ku po ndërtohet një pallat. Në vitin 2018, deklaron rreth 48 mijë USD nga qiratë, rreth 15 mijë USD pagën e bashkëshortes përveç 420 mijë USD të ardhura nga biznesi, rreth 16 mijë USD të ardhura nga aktiviteti privat i djalit, si dhe pagën e tij si gjyqtar 1.3 milionë lekë ose rreth 13 mijë USD.
Do të jenë konkluzionet e Komisionit të Vetingut që do të përcaktojnë nëse kjo pasuri e deklaruar është e ligjshme apo gjyqtari Agron Zhukri e ka krijuar duke përdorur funksionin.
Pse Gjykata e Tiranës vendosi mos e pranojë dorëheqjen e Zhukrit nga “Statuti”?
Gjykata e Tiranës shpjegon arsyet e mospranimit të heqjes dorë të Agron Zhukrit nga çështja e statusit të paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit të PD më 11 dhjetor.
Zhukri dha dorëheqjen pasi u përzgjodh për të shqyrtuar çështjen e ndryshimeve të bëra në statutin e Partisë Demokratike në Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha më datë 11 dhjetor, por kjo gjë nuk është pranuar nga Gjykata. Kjo e fundit ka dhënë argumentet e veta për mospranimin e kësaj kërkese.
Sipas Gjykatës, kjo është një kërkesë që bëhet mbi ligjin për partitë politike, gjë që nuk e bën të papajtueshëm me funksionin ndaj nuk është pranuar dorëheqja. Togat e zeza theksojnë se në këtë rast gjyqtari nuk po shqyrton një çështje gjyqësore.
GJYKATA E TIRANËS
Duke marrë parasysh interesin e lartë të mediave, shtypit të shkruar, por edhe portaleve të ndryshme në lidhje me depozitimin e kërkesave të Partisë Demokratike të Shqipërisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të plotësuar informacionin që aktualisht disponohet nga ju, informojmë sa vijon:
Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është paraqitur më datë 13.12.2021, kërkesa me Nr. 1337 Akti, kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Gazment Bardhi me objekt: Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021, kërkesë e cila pasi ju nënshtrua procedurës së shortit aktualisht ndodhet për gjykim pranë gjyqtare znj. Blerina Muça.
Në datë 15.12.2021, po pranë kësaj Gjykate është paraqitur kërkesa Nr. 1346 Akti, kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD, me objekt: Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar, kërkesë e cila pasi ju nënshtrua procedurës së shortit aktualisht ndodhet për gjykim pranë gjyqtar z. Agron Zhukri.
Gjykata, në zbatim të nenit 1, 2 dhe 154/a të Kodit të Procedurës Civile, nuk mund të refuzojë të shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që i paraqiten për shqyrtim, për palët që vënë në lëvizje gjykatën për fillimin e një procesi gjyqësor, përveç kur ligji parashikon ndryshe.
Kërkesëpadia/ kërkesa kur paraqitet në gjykatë nga paditësi/kërkuesi, përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë ose nëpërmjet postës iu caktohet gjyqtarëve me short.
Pasi z. Zhukri, është njohur me kërkesën Nr. 1346 Akti dhe ka vlerësuar se ka shkaqe të arsyeshme për të mos marrë pjesë në shqyrtimin e saj, i ka paraqitur Kryetarit të Gjykatës në bazë të nenit 72, 73 të Kodit të Procedurës Civile, kërkesën për heqjen dorë nga gjykimi i çështjes.
Referuar të njëjtës bazë ligjore, Kryetari i Gjykatës, pasi ka vlerësuar arsyet e paraqitura nga z. Zhukri, për përjashtimin e tij nga shqyrtimi i çështjes, ka vendosur mospranimin e kërkesës dhe vijimin e gjykimit të çështjes nga i njëjti gjyqtar.
Kërkesëpadia e paraqitur në vitin 2018, është një gjykim themeli me palë ndërgjyqëse paditës dhe i paditur, ndërkaq që kërkesa e paraqitur në vitin 2021, është një kërkesë për depozitim ndryshimesh të statutit të partisë paraqitur nga një grup individësh.
Informojmë gjithashtu se, gjyqtarët respektivë kanë dijeni për të dyja kërkesat e paraqitura të cilat do të gjykohen në zbatim të Ligjit Nr. 8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, i ndryshuar.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton që gjyqtarët janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve, i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve. Dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje apo paragjykimi, nga palët në proces dhe nga subjektet publike ose private, si kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e udhëhequr ndër të tjera edhe nga parimi i transparencës, është në gatishmëri të publikut dhe medias për çdo informacion sqarues.





