Në vjeshtë në Maqedoninë e Veriut do të ketë zgjedhje lokale. Partitë tashmë kanë nisur me kalkulime e akuza ndaj njëra-tjetrës. Një nga komunat ku pritet të ketë betejë të fortë është Struga, ku aktualisht kryetar është Ramiz Merko nga BDI. Partitë ende nuk kanë zbuluar kandidatët, por ka disa emra që përfliten, që mund të jenë kandidatë për kryetar të kësaj komune.
Si kandidat potencial përmendet emri i kirurgut abdominal Fesih Shehu, por edhe i ish-ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri. Mandej përmendet edhe Faton Pollozhani, ish zv/ministër i Transportit.
Në garë mund të futet edhe Garip Kaba, zëvendësdrejtor aktual i Drejtorisë së Doganave, ndërkaq përmendet edhe emri i deputetit Salim Sulejmani.
Emra të tjerë që përfliten janë edhe Vegim Zhaku nga Dollogozhda, si dhe
Mendi Qyra, kryetari aktual i OEMVP-së.
Por, nuk përjashtohet edhe rikandidimi i Zijadin Selës, i cili më herët kishte drejtuar këtë komunë.
Ende nuk dihet se nga do të orientohet grupi i kryetarit aktual Ramiz Merko, marrë parasysh se ky i fundit kishte ngrirë aktivitetet partiake në BDI, pasi paraprakisht u bë pjesë e listës së zezë amerikane.
Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare në maj të vitit të kaluar, Fronti Europian, pjesë e të cilit është BDI dhe ASH-Sela, mori 10,250 vota, koalicioni VLEN kishte 4.600 vota ndërsa VMRO-DPMNE-ja 6,950 vota, kurse LSDM-ja 2.500 vota.