Pesë prokurorë publikë kanë kandiduar për postin drejtues në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në vend të drejtuesit aktual, Islam Abazi. Zgjedhjet janë caktuar për më 28 tetor, kur prokurorët publikë do të votojnë drejtpërdrejt dhe në mënyrë të fshehtë.
Sipas listës zyrtare të kandidatëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, në garë janë Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski. Procedura zgjedhore zhvillohet për shkak të përfundimit të mandatit katërvjeçar të Abazit, i cili u zgjodh në vitin 2022.
Faton Azizi, i cili që nga viti 2024 punon në Prokurorinë për Krim të Organizuar, ka qenë i angazhuar në lëndët “Aditiv”, “Botoks” dhe “FFM”. Në një deklaratë për “Fokus”, ai thekson se përparësitë e programit të tij janë forcimi i kapaciteteve hetimore, hetimet financiare, forenzika digjitale dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.
Trajçe Pelivanov aktualisht punon në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup. Më parë ka qenë pjesë e Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa në vitin 2022 ka drejtuar përkohësisht Prokurorinë për Krim të Organizuar, pas pezullimit të Vilma Ruskoskës. Në një deklaratë për “Fokus”, ai vë në pah përvojën e tij profesionale, ndërsa programi i tij për drejtimin e institucionit është ende në përgatitje.
Lidija Raiçeviq ka përvojë shumëvjeçare në prokurori. Ajo punon si prokurore publike që nga viti 2003, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka qenë pjesë e Prokurorisë për Krim të Organizuar. Aktualisht punon në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.
Iskra Haxhi Vasileva është prokurore në institucionin për drejtimin e të cilit ka kandiduar. Ndër lëndët që trajton është edhe rasti kundër gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Gjoko Ristov.
Jovan Cvetanovski është prokuror në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup, me më shumë se 25 vjet përvojë profesionale. Në opinion është i njohur edhe për trajtimin e çështjes së njohur si “Mazuti”.



