Një histori filmi në Marsejë dhe fotoja e rrallë e kopertinës së gazetës “Le Marseillais”, që u dedikohet Kadaresë dhe kineastëve shqiptarë. Nuk ishte hera e parë që filmi shqiptar po kapërcente kufijtë, por sidomos në Francë po pritej me mjaft sukses; anashkalohet pa u përgënjeshtruar një gafë e gazetës duke i quajtur shqiptarët “libanezë” në vend që ta shkruanin “albanese”. Rrëfejnë Luan Rama, Saimir Kumbaro dhe Pirro Milkani
Nga Violeta Murati
Shkrimtari Ismail Kadare, së bashku me aktorët “libanezë”, me Saimir Kumbaron, regjisor i filmit “Vdekja e kalit”, që mban bobinën duke prezantuar javën e kinemasë shqiptare në sallën “Vieille Charite”. Kjo është diçitura që shoqëron kopertinën e gazetës franceze “Le Marseillais”, ku si duket tërheqja për t’i kthyer në qendër të vëmendjes kineastët shqiptarë ka qenë prezenca e shkrimtarit Ismail Kadare, si skenarist i filmit “Prilli i thyer” (romani “Të paftuarit”) me regji të Kujtim Çashkut.
Me gjithë ngatërresën gjuhësore ku shkruhet “libaneze” në vend të fjalës “albanese”, fotografia është botuar në prill të vitit 1993 në gazetën Le Marseillais, të Marsejës që shoqëronte një artikull mbi “Javën e Filmit Shqiptar” të organizuar në Marsejë. Gafa e gazetarëve francezë ka qenë e izoluar vetëm në historinë e kineastëve që shoqëruan këtë ngjarje, për të cilën është kërkuar ndjesë pas ndërhyrjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
Për gazetën franceze “Marseille” këta ishin protagonistët e mbrëmjes së kinemasë shqiptare, ndërsa fotoja paraqet edhe të tjerë pjesëmarrës në ditët e filmit shqiptar, regjisorin Piro Milkanin, Liri Begejën, aktorët Bujar Lakon, Anisa Markajanin dhe Timo Fllokon, si dhe skenaristin e shkrimtarin Luan Rama.
Ngjarja aktuale që po ndodhte i kushtohej javës së filmit shqiptar, të cilët prezantoheshin për herë të parë në këtë rajon, por jo në Francë. Ndonëse bëhet fjalë për vitet e para të ’90-ës, perëndimi sapo kishte kthyer vëmendjen nga filmat shqiptarë, dhe kineastët kishin kapërcyer kufijtë, madje më shumë se sa sot. Produksionet “Kolonel Bunker” me regji të Kujtim Çashkut, “Parullat” të Gjergj Xhuvani si dhe “Vdekja e kalit” e regjisorit Saimir Kumbaro kishin marrë ftesa të shumta në festivale ndërkombëtare të perëndimit. Italia, Franca apo Anglia ishin shtetet që “thërritnin” shqiptarët për historinë duke shënuar kthesën e madhe për produksionet tona, ato të bashkëpunimit në realizimet filmike.
Duke iu kthyer fotos, asaj ngjarjeje që zuri koverin e gazetës franceze, nuk do të kalonte pa një incident të vogël, për shkak të një gabimi drejtshkrimor. Siç shihet në foto, në diçiturën e saj shënohet artistët “libanezë”! Në Shqipëri për këtë “pritje” dhe jehonë mediatike s’ka pasur asnjë zë, aq më tepër edhe për gafën e gazetës franceze, që përveç një ndjese formale nuk është se ndryshoi gjë në këtë histori. Regjisorët dhe aktorët shqiptarë, së bashku me shkrimtarin Ismail Kadare kanë krijuar këtë memorie që mbahet mend gjatë nga protagonistët si vitet e para të euforisë filmike shqiptare.
Fotoja ka dalë nga dosja arkivore e shkrimtarit Luan Rama, duke e vënë në dispozicion botimin së bashku me historinë e kësaj ngjarjeje ku vëmendja vjen si duket më e madhe, e padyshim vlerësohet ngjarje mikpritja nga prezenca e shkrimtarit Ismail Kadare. Luan Rama, së bashku me dy prej protagonistëve të fotos, Saimir Kumbaro dhe Pirro Milkani sjellin këtë memorie ngacmuar prej fotos, duke krijuar një atmosferë kujtese çfarë shënon kjo ngjarje për kinemanë.
Luan Rama: Një histori filmi në Marsejë
“Fotografitë janë gjithnjë dëshmi ngjarjesh, faktesh, historish, sa intime aq dhe kolektive. Ato fiksojnë gjithnjë atë çka nesër mund të zhbëhet, humbasë e shuhet në mjegullat e kohës dhe të kujtesës njerëzore. Kjo fotografi është botuar në prill të vitit 1993 në gazetën Le Marseillais të Marsejës. Shoqëronte një artikull mbi “Javën e Filmit Shqiptar” të organizuar në Marseille në sallën “La Vieille Charité”. Në fakt, një vit më parë, regjisori Pirro Milkani kishte ardhur në Paris, në një “Javë të Filmit Shqiptar”, në një nga kinematë e Parisit, në Montparnasse, ku ishim së bashku. Pra, në prill të vitit 1993 ne shkuam në Marsejë ku na priste Pierre Calfas, një mik i vjetër i Shqipërisë dhe përgjegjësi i Kulturës në bashkinë e Marsejës. Të ftuar ishin dhe Ismail Kadare si skenarist i filmit Prilli i Thyer (Të Paftuarit), i regjisorit Kujtim Cashku, Liri Begeja, që përgatitej për filmin e saj të ardhshëm Larg Barbarëve, Pirro Milkani që bashkë me Anisa Markarjan, në rolin kryesor, do të prezantonin filmin Pranvera nuk erdhi vetëm, Saimir Kumbaro që do prezantonte filmin Vdekja e Kalit, aktorët Bujar Lako, Timo Flloko, si dhe unë, që kisha me vete një kamera, xhirimet e të cilit nuk di se ku kanë përfunduar. Një nga filmat që u shfaqën ato ditë ishte dhe filmi Vdekja e Kalit, që u mirëprit në veçanti nga publiku. Anisa, e cila kishte pak vite që kishte zbarkuar te njerëz të saj në Antibes dhe që kishte ardhur me tren në Marsejë, kishte përgatitur në frëngjisht një tekst mbi historinë e filmit shqiptar që u mbajt në konferencën rreth filmit shqiptar. Madje me të, siç më kujtonte më vonë ajo, ishim ngjitur me makinë deri në kodrinën që sundon mbi Marsejë, ku shquhet bazilika e famshme e Notre-Dame-de la Garde, ku tutje dukej ishulli i “Château d’If” me historinë e Kontit të Monte Kristos, dhe ku brenda në bazilikë, Saimiri, Timo dhe Bujari ndezën nga një qiri, në një skenë disi mistike, ku s’dihej se ç’lutje bënë dhe kujt iu falën atë ditë… Në konferencë, Saimir Kumbaro, me humorin e tij karakteristik njoftonte të pranishmit se Shqipëria po organizonte veprimtarinë e famshme Miss Albania… Ishte një ndjesi e çuditshme deklarimi i ngadoshëm i Miss Albania-s si të donim të thoshim se edhe në jemi si gjithë Europa, edhe pse në një hemorragji të madhe. Bobina që duket në fotografi është e filmit Vdekja e Kalit, një film që prezantonte një histori të dhimbshme totalitare si dhe konvulsionet e një shoqërie të re që shkonte drejt një udhe të panjohur e gjithë mjegull. Para se të ndaheshim me Anisën, e cila kishte blerë një album me fotografi të vjetra të Marsejës, secili nga ne i la një dedikim… vallë kinematografia shqiptare nuk do ta shihte më imazhin e kësaj aktoreje të talentuar?… Ishte një parandjenjë se gjithçka te ajo këtej e tutje do të mbetej veç nostalgji imazhesh dhe shpirtrash…”
Saimir Kumbaro: Kadare ndërhyri për “Vdekja e kalit” në Kanë
“Ishte një javë e këndshme. Unë vija nga festivali i Monpeljesë ku filmi “Vdekja e kalit” u zgjodh nga filmat më të mirë”, kujton regjisori Saimir Kumbaro. Regjisori padyshim kujton dhe ngjarjen e kopertinës së gazetës “Marseille” ku ishin ngatërruar duke u cilësuar si aktorë “libanezë”, për të cilën thotë se ndërhyri pranë redaksisë Kadare, dhe gazetarët kërkuan ndjesë, por kopertina nuk u zhbë. Kjo histori sot kujtohet me këtë gjurmë. Megjithatë edhe Kumbaro sjell atmosferën, ashtu si e ka përjetuar duke ndalur dhe në një problematikë të rëndësishme dhe të dhimbshme njëkohësisht për të. Ashtu siç tregohet në foto, që shfaqet duke mbajtur në duar bobinën e filmit të tij, Kumbaro thotë se filmi i tij ka pasur defekt, me cilësi teknike që linin për të dëshiruar. Fotoja i ka sjellë në mend, momentin e vitit ’93, kur filmi “Vdekja e kalit” do të shënonte të parin film shqiptar në Kanë, por e kthyen mbrapsht për shkak të këtij defekti. “Këmbëngulëm që të përfshihej në Kanë, megjithë ndërhyrjen e Kadaresë, i cili bëri rekomandimin për ta përfshirë në garën kryesore, filmi mbeti për çështje teknike. Filmi ishte stampo me orvo kolor që ishte në magazinat e kinostudios. Megjithatë, filmi ka pasur shumë shfaqje në Francë duke u pritur mjaft mirë”, kujton Kumbaro duke shtuar se për “Vdekja e kalit” është shkruar në një gazetë letrare franceze se, është “autopsi e diktaturës”. Franca si edhe fotoja e Marsejës këtë gjurmë penglënëse kanë lënë te Kumbaro, ndonëse kujton mjaft mirë atmosferën e pritjes në javën e filmit shqiptar, ku francezët kishin treguar mjaft interes. Por, pas kësaj ngjarjeje, kthimi në Shqipëri ishte zhgënjyes. Kumbaro thotë se asnjë gazetë në vend nuk i bëri jehonë, duke u kthyer me modestinë alla shqiptare. “Kur erdhëm këtu asnjë gjë nuk u tha. Duhet të kishim ardhur sot, po të kishim pak mend, pasi tani është në modë që të shesësh mend për gjithçka”. Kjo periudhë në Tiranë sa i takon kinemasë përkonte me euforinë e shkatërrimit të të gjitha sallave të kinemave që kishin jetuar jetën e tyre deri në fillim të viteve ’90-të. Ndërsa një edicion i festivalit të filmit shqiptar u zhvillua në sallën më madhështore të kryeqytetit shqiptar, atë të sallës së Kongreseve të mbushur me shumë spektatorë. Ndoshta ky ka qenë festivali më i hapur për spektatorët, shkruan Natasha Lako, në librin eseistik, “Energjia e filmit”, ku përmendet pikërisht ky moment “suksesi” të izoluar edhe për filmin e Kumbaros “Vdekja e kalit”. Në këtë film mori kupën e rolit më të mirë aktori Timo Flloko.
I pari që theu brenda Kinostudios siparin e rikthimit dhe riinterpretimit të periudhës së kaluar, e cila sapo ishte kapërcyer, vlerësohet pikërisht Kumbaro me filmin “Vdekja e kalit”, vepër e ’92.
Piro Milkani: Në Marsejë, ishte viti i kthesës së madhe të kinemasë sonë
“Ishte një kinema në një kodër, ishim në Marsejë. Sigurisht nuk ishte hera e parë pas viteve ’90-të që kalonim kufijtë, por në mënyrë të veçantë Franca kishte treguar interes të madh për filmat shqiptar”, ky reflektim i vjen nga “atmosfera” e Marsejës, regjisorit Pirro Milkani. Ai u paraqit në javën e kinemasë shqiptare me filmin “Pranvera nuk erdhi vetëm”, shfaqur siç e mban mend në kinemanë Antibes. Milkani hedh dritë mbi një moment që sipas tij është i rëndësishëm pasi një djalë (të cilit s’ia mban mend emrin), kishte lidhje me familjen e mbretëreshës Geraldinë, prej së cilës u nxit kjo javë e kinemasë shqiptare. Në Marsejë na thanë një gjë të çuditshme, kujton Milkani duke thënë se në biseda intime u kishin kërkuar dokumentarë për familjen mbretërore shqiptare. Regjisori thotë se në arkiv ka pasur pak gjëra nga familja mbretërore, por nuk e dinin se ishin të interesuar për këtë rreth dëshmive filmike. Kjo ishte atmosfera për Marsejën e Milkanit, pasi në Francë që prej ’90-ës ishte treguar mjaft interes për filmat shqiptarë.
“Mund t’ju them një gjë se pas viteve ’90-të Franca, Italia. Anglia etj., e kuptuan se Lindja kishte tema interesante dhe kishte krijues të mirë ku janë organizuar konferenca ndërkombëtare, takime dhe patëm oferta të kësaj natyre duke na thënë të propozonim tema se do të na siguronin financat. Vërtetë kështu ndodhi, pas viteve ’90-të duke filluar me filmin Kolonel Bunker, me regji të Kujtim Çashkut vazhdoi më pas me shumë filma të tjerë, si me “Parullat” duke shënuar hyrjen e re në fazën e coproduksioneve me vendet e tjera.”, thotë Milkani. Nga ana tjetër Milkani kujton dhe praninë e aktores Anisa Markajani me filmin e tij “Pranvera s’erdhi vetëm”. Regjisori thotë se në atë kohë aktorja ishte larguar nga Shqipëria dhe bashkëpunonte me Liri Begenë,sekretare në një produksion, dhe më pas rrethanat erdhën që ajo nuk kishte më bashkëpunime as me kinematografinë dhe as me mjekësinë, profesionin e saj. Martesa e ndau aktoren nga kinemaja, kur kishte rënë në sy në edicionin e tetë të festivalit të filmit shqiptar, më ’89-ën, që shënonin vitin e shpërthimit të bukurisë femërore në konkurrencën e aktoreve të reja si: Eva Alikaj, Rajmonda Bulku, Elvira Diamanti, Matilda Makoçi etj., kur figura femërore në filmin shqiptar po komunikonte një ndërgjegje të një shpirti të lirë femëror, që kërkon të ndryshojë në shoqërinë shqiptare.