Kundërthënie të shumta për rastin Mijallkov, në nëntor kishte kaluar COVID-in

Kundërthënie të shumta për rastin Mijallkov, në nëntor kishte kaluar COVID-in

Sasho Mijalkov tani qëndron në shtëpinë e tij të mbikëqyrur nga policia. Legjitimohet çdonjëri që del nga rrugica ku ish-drejtori i policisë sekrete prej mbrëmë ndodhet në arrest shtëpiak.

Por, dy ditët e fundit, publiku dhe mediat ishin dëshmitarë të një sërë kundërthëniesh që e përcollën arratisjen dhe më pas dorëzimin e Sasho Mijallkovit.

Kundërthënia numër një. Policia po e kërkonte me urdhërarrest kombëtar dhe ndërkombëtar. Kontrolloheshin bagazhet e makinave në të gjithë Shkupin. Mijallkovi në mes të ditës vetë erdhi në Prokurorinë e Krimit të Organizuar për ta marrë urdhër-arrestin shtëpiak, edhe pse kryeqyteti ishte i stërmbushur me policë civil dhe të uniformuar.

Kundërthënia numër dy. Sasho Mijallkovi nuk ka ikur – ka qenë i sëmurë dhe i izoluar për shkak të virusit korona. Ka pasur temperaturë mbi 40 gradë. Pas një dite pushimi, ai shëndoshë e mirë u paraqit para prokurorisë. Tani për tani, policia nuk ka zbuluar nëse kjo ishte konfirmuar edhe nga anëtarët e familjes së tij të cilët u morën në pyetje të hënën. Ai kishte test pozitiv më 14 tetor të vitit të kaluar dhe u shëruar më 3 nëntor.

Kundërthënia numër tre. A do të ketë lehtësim për Mijallkovin i cili vetë është paraqitur, pasi që policia nuk arriti ta gjente.

Zoran Zaev, Kryeministër “Paraqitja e tij në prokurori nuk duhet të konsiderohet si rrethanë lehtësuese as për këtë e ose për ndonjë rast tjetër.”

Vilma Ruskovska, Kryetare e Prokurorisë për Krimin e Organizuar

“Megjithatë, rrethanë lehtësuese është ajo që vetë është paraqitur në prokurori”

Kundërthënia numër katër. Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të dielën kërkoi paraburgim për Mijallkovin. Megjithatë, Gjykata Penale vendosi që arresti shtëpiak ishte i mjaftueshëm. Pasi të dielën nuk e gjetën Mijallkovin, prokuroria dorëzoi ankesën. Para se ai vetë të paraqitet, ankesën e tërhoqën dhe Mijallkov erdhi për të marrë vendimin e tij të arrestit shtëpiak. Pse ankesa u tërhoq dje pak para se të shfaqej Mijalkov, shpjegoi Ruskovska.

Vilma Ruskovska, Kryetare e Prokurorisë për Krimin e Organizuar

“Vetë kryetari i gjykatës kërkoi që ankesa të tërhiqej sepse vendimi deri atë kohë nuk ishte zbatuar.”

Të premten, Mijallkovin nga arresti shtëpiak në gjykatë do ta sjellë policia e jo sigurimi i tij. Do të dëgjojë aktgjykimin për rastin “Target- Fortesa” ku akuzohet dhe për të kërkohet dënim maksimal me mbi 10 vite burg. Ruskovska nuk e përjashtoi mundësinë e kërkimit të paraburgimit në Shutkë por nuk tregoi se kurë. Pas aktgjykimit të së premtes, të pandehurit do të kenë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit. Nëse rastësisht gjykata e lartë vendos ta përsërisë procedurën, çështja do të kthehen në rigjykim. Nëse rasti gjykohet përsëri dhe vazhdon me dinamikën aktuale – katër vjet procedurë për të arritur në një vendim, atëherë ekziston rrezik serioz që të pandehurit të mos përgjigjen për përgjimin dhjetë vjeçar dhe shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit, sepse vjetërsimi absolut i rasteve “Target- Fortesa” fillon në vitin 2025.