Kumanova ka shënuar një numër të madh të të kuruarve nga virusi korona. Deri sa ka kaluar edhe një ditë pa asnjë rast të ri me virusin korona në këtë qytet, që nga 22 marsi kur u regjistrua rasti dhe vdekja e parë nga COVID-19. Shtabi i krizave nga Komuna e Kumanovës, duke u bazuar në rekomandimet e Qeverisë dhe parandalimin e përhapjes së virusit korona, ka kërkuar nga NP “Tregu”, që të organizoj dhe të rregulloj funksionimin e tregut të gjelbër sipas rekomandimeve nga Ministria e Shëndetësisë. “Bazuar në kërkesën e NP “Tregu”, shtabi i krizës, rekomandon që të filloj me punë tregu rajonal dhe ai gjelbër për shitjen e ushqimeve, produkteve bujqësore dhe luleve, orari i punësnga e hëna deri të premten të filloj nga 8 -16 ndërkaq gjatë fundjavës të mos punohet”, thonë nga shtabi i krizave.
Ministri i Shëndetësisë, VenkoFilipçe, ka deklaruar se nga gjithsej 70 punonjës shëndetësor që ishin të infektuar me virusin korona, në Kumanovë, tani më 50 prej tyre janë kthyer në vendet e tyre të punës. Ndërkohë, reparti i gjinekologjisë dhe akusherisë, ka filluar që të punoj normalisht pasi që të prekurit nga virusi korona u rikthyen në vendin e tyre të punës. “Ngadalë por sigurt po kthehemi në jetën normale.Sidoqoftë ende është e rëndësishme të ndiqen dhe të respektohen masat nga OBSh-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, deri në fitoren përfundimtare të ballafaqimit me virusin korona”, thuhet në deklaratën e Spitalit të Përgjithshëm Kumanovë.
Bunjamin Osmani, qytetar nga Kumanova, i cili ka mirëpritur lehtësimin e masave të Qeverisë dhe hapjen e disa bizneseve në Kumanovë. Ai për gazetën KOHA, shprehet se u bë një kohë e gjatë që Qeveria, ka vendosur masa të rrepta. “Nëse më pyesni personalisht nuk besoj që ekziston ndonjë rrezik aq i madh nga ky virus, gjithmonë kanë ekzistuar viruse të ndryshme por nuk është bërë tollovi kaq e madhe. Qeveria më shumë ka shtuar panik, me këto masa se sa ka ndikuar në parandalimin e përhapjes së COVID-19”, shprehet Osmani. Ai ka shtuar se mendon që fshihet diçka më e madhe pas gjithë kësaj loje dhe shpreson që Qeveria ti heq masat sa më shpejt të jetë e mundur që ti rikthehemi jetës në normalitet. Ai thotë se shumë familje, nga mbyllja e biznesit nuk kanë të ardhura dhe nuk munden ta sigurojnë ekzistencën.
Ndryshe ka qytetari paraprak, Jeton Ismaili, gjithashtu banor i Kumanovës, për gazetën KOHA, thotë se virusi korona është një rrezik i madh, veçanërisht për moshën e tret. Por ai thotë edhe pse të rinjtë nuk janë target grupi i rrezikuar, ata përsëri duhet të kenë kujdes të shtuardhe ti respektojnë masat e vendosura, sepse mundësia që ata të jenë transmetuesit e virusit janë të mëdha dhe kështu mund të bëhen edhe shkaktar të vdekjes së ndonjë të afërmi të tyre.“Në rrjete sociale, po qarkullojnë teori të ndryshme konspirative që gjoja nuk ekziston virusi korona,ku dhe shumë qytetar po u besojnë këtyre teorive. Të mendohet se një virus i tillë nuk ekziston dhe është hedhur në opinion vetëm për përfitime është një budallallëk. Të mendohet sa humbje ekonomike po shkaktohet në nivel botëror, nga ky “ngërç” ekonomik, gjithçka është e qartë”, thotë ai.Duke shtuar se duhet të kemi kujdes edhe pak dhe të bëjmë durim sepse jemi afër fitores, duhet ta kemi parasysh se një lëshim i vogël, mund të na rikthej që nga fillimi. Në ditët në vijim pritet të ndërmerren aktivitete shtesë që do të ishin në pajtim me rrethanat e reja të krijuar pas lajmeve inkurajuese nga terreni, ku Kumanova gjithsesi do ta ndjejë më së tepërmi për shkak të masave shtrënguese me të cilat ishte e ballafaquar mbi një muaj e gjysmë. (koha.mk)



