Ligji zviceran parashikon teorikisht deri në pesë vjet burg për falsifikim dokumentesh, por një ekspert i së drejtës penale vlerëson se Granit Xhaka, nëse shpallet fajtor, ka shumë më tepër gjasa të përballet me një gjobë me kusht.
Prokuroria e Lucernit po zhvillon hetime ndaj kapitenit të Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, lidhur me një certifikatë të falsifikuar të vaksinimit kundër Covid-19.
Futbollisti tashmë ka pranuar publikisht se gjatë pandemisë kishte siguruar një vërtetim vaksinimi. Ai e ka cilësuar veprimin si gabim, ka kërkuar falje dhe ka premtuar bashkëpunim të plotë me autoritetet.
Por çfarë pasojash juridike mund ta presin realisht 33-vjeçarin?
Sven Zimmerlin, ligjërues i së drejtës penale dhe procedurës penale në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Cyrihut, ka sqaruar për televizionin publik zviceran SRF dallimin mes veprave penale që mund të shqyrtohen në këtë rast.
Sipas tij, falsifikimi klasik i dokumentit ndodh kur si lëshues paraqitet dikush që në të vërtetë nuk e ka përpiluar dokumentin. Një situatë tjetër është vërtetimi i rremë, kur dokumenti lëshohet nga personi apo institucioni që figuron në të, por përmbajtja e tij nuk është e vërtetë.
Pikërisht përcaktimi i mënyrës se si është siguruar dhe përdorur certifikata do të jetë i rëndësishëm për cilësimin juridik të rastit të Xhakës.
Zimmerlin thekson se falsifikimi i dokumenteve konsiderohet vepër e rëndë sipas ligjit zviceran dhe mund të dënohet me burgim deri në pesë vjet ose me gjobë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Xhaka pritet të dënohet me pesë vjet burg. Bëhet fjalë vetëm për masën maksimale që parashikon ligji.
Që të ketë dënim, organet e drejtësisë duhet të provojnë se futbollisti e dinte se çfarë po bënte dhe se veproi me qëllim që të siguronte një përfitim të paligjshëm ose të cenonte të drejtat e personave të tjerë.
Eksperti zviceran vlerëson se, nëse Xhaka nuk ka dënime të mëparshme dhe trajtohet si shkelës për herë të parë, rezultati më i mundshëm nuk është burgimi.
“Besoj se në fund çështja me gjasë do të përfundojë me një gjobë me kusht”, ka deklaruar Zimmerlin për SRF-në.
Ai ka nënvizuar se vlerësimin përfundimtar do ta bëjë Prokuroria ose gjykata, pasi të jenë shqyrtuar faktet dhe provat.
Xhaka nuk do të marrë pjesë në grumbullimin dhe katër ndeshjet e ardhshme të Kombëtares së Zvicrës. Vendimi është marrë bashkërisht nga futbollisti dhe drejtuesit e Federatës Zvicerane, ndërsa statusi i tij do të rivlerësohet pas këtij cikli ndërkombëtar.
Procedura penale vazhdon dhe ndaj Xhakës ende nuk ka vendim gjykate. Deri në përfundimin e procesit, ai gëzon prezumimin e pafajësisë.



