Kujdes nga mesazhet e rreme për gjobat e “Qytetit të Sigurt”, MPB tregon si t’i dalloni
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) paralajmëron qytetarët për mesazhe mashtruese që dërgohen në emër të sistemit “Qyteti i Sigurt”, përmes të cilave kërkohet pagesa e gjobave të rreme për kundërvajtje në trafik.
Sipas MPB-së, bëhet fjalë për sulme phishing përmes SMS-ve, e-mailit, faqeve të internetit dhe rrjeteve sociale, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.
MPB sqaron se mesazhet zyrtare për kundërvajtje dërgohen nga identifikuesi „MVR-SC“ dhe duhet të përmbajnë patjetër targat e automjetit që ka kryer kundërvajtjen.
Gjithashtu, linku zyrtar duhet të ketë këtë format: https://safecountry.mvr.gov.mk
Qytetarëve u bëhet thirrje të mos hapin lidhje të dyshimta, të mos japin të dhënat e kartelave bankare, fjalëkalimet apo të dhëna të tjera personale përmes kanaleve të paautorizuara.
Sektori për Krim Kompjuterik në MPB po zhvillon hetime për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre mashtrimeve.




