KSI kërkon terapi dhe blerjen e testeve për “lijën e majmunit”

KSI kërkon terapi dhe blerjen e testeve për “lijën e majmunit”

Zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zlate Mehmedoviq, në konferencën e sotme për media, ka bërë të ditur konkluzionet në lidhje me gjendjen me Covid-19 dhe “lijën e majmunit”.

Mehmedoviq tha se KSI ka sjellë rekomandim për heqjen e posedimit të detyrueshëm të testit PCR për lloje të caktuara ndërhyrjesh/operacionesh në objektet shëndetësore, por duhet të dorëzohet test antigjenik (i shpejtë), përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai tha se KSI kishte shfaqur shqetësim për shkak se ka pasur përhapje të virusit të fruthit në botë dhe se në takim është konstatuar se sistemi duhet të përgatitet për pacientët e mundshëm edhe në vendin tonë. Testet dhe terapia për këtë lloj virusi do të sigurohen në bashkëpunim me OBSH-në.

“Komisioni për Sëmundjet Infektive është shprehur i shqetësuar sepse ka përhapje të virusit në botë. Të gjitha institucionet përkatëse shfaqin një shkallë të caktuar shqetësimi, qëllimi i KSI-së është të përgatisë sistemin, pra rrugët klinike për monitorimin e pacientëve të mundshëm. Kjo situatë me “lijën e majmunit” nuk është në përpjesëtim me pandeminë e coronavirusit, por duke qenë se ne duam të përgatitemi si sistem, ramë dakord të monitorojmë situatën dhe të ofrojmë gjithçka të nevojshme për një plan të mundshëm trajtimi për pacientët”.

“Virusi i ‘lijës së majmunit’ ekziston prej gjysmë shekulli. Të gjitha vendet kanë një problem për të ofruar trajtim dhe diagnostikim cilësor. Instituti i Shëndetit Publik ka vendosur tashmë kontakte me OBSH-në (Organizata Botërore e Shëndetësisë) për të siguruar teste dhe terapi. Simptomat e kësaj sëmundje janë ndryshimet e lëkurës, flluska, temperaturë e lartë, dhimbje muskujsh, lodhje”, shpjegon Mehmedoviq.