KSHZ: Të vlefshme do të llogariten edhe fletëvotimet e pavulosura

KSHZ: Të vlefshme do të llogariten edhe fletëvotimet e pavulosura

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve zyrtarizoi rezultatin zgjedhor edhe për komunën e Kisella Vodës të cilën e ka fituar në rrethin e parë kandidati i VMRO-DPMNE-së Orce Georgievski si dhe fitoren e kandidatit të BDI-së Alija Jaoski për Komunën e Pllasnicës. Konfirmimi i rezultateve vjen pas mbylljes së procedurës së ankesave nga pjesëmarrësit në zgjedhje. Në vendvotimin 0543 në Dibër do të ketë rivotim më 31 tetor. Kjo nënkupton se në Dibër nuk ka rreth të dytë këtë të diel. Kurse në vendvotimin 2957/1 në Shuto Orizare do të ketë rivotim për listën për këshilltarë komune dhe për këshilltarë të Qytetit të Shkupit. Në këto vendvotime, KSHZ-ja ka zgjedhur anëtarë të rinj.
Tashmë janë zgjedhur. Janë zgjedhur anëtarë të rinj pasi KSHZ-ja mori vendimin dhe tani ata bëjnë trajnime për të qenë të përgatitur për votimin – deklaroi Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Institucioni për organizimin e zgjedhjeve ndryshoi edhe udhëzuesin për fletëvotimet e pavlefshme. Fletëvotim i vlefshëm do të llogaritet edhe ai që nuk posedon vulë por i plotëson të gjitha kushtet sipas Kodit zgjedhor, gjegjësisht nëse është i rrethuar numri rendor para bartësit të listës ose kandidatit dhe ku përcaktimi i votuesit mund të konfirmohet pa mëdyshje. Fletëvotim i pavlefshëm llogaritet kur nuk është plotësuar ose janë rrethuar më shumë opsione. Ky vendim heq mundësinë që të pavlefshme të llogariten edhe fletëvotimet të cilat këshillat zgjedhor harrojnë ose nuk i vulosin para se të ua japin votuesve.

Edhe një herë apelojmë si KSHZ te këshillat zgjedhor që t’i përmbahen respektimit të nenit 109 të Kodit zgjedhor sepse përgjegjësia është e tyre – u shpreh Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

Tashmë kanë përfunduar afatet për paraqitjen e personave të sëmurë dhe personave me vendim për izolim që të paraqiten për të votuar. Në bazë të numrit të të interesuarve, KSHZ-ja do të përgatisë edhe numrin e nevojshëm të trupave zgjedhor që duhet ta realizojnë votimin e tyre.