Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij zyrtare në Bernë ka zhvilluar një takim me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Parlamentit Federal të Zvicrës, Pierre-André Page, ku është konfirmuar niveli i lartë i marrëdhënieve ndërmjet Maqedonia e Veriut dhe Zvicra.
Sipas Gashit, gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe forcimin e lidhjeve institucionale mes dy vendeve. Ai ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në proceset demokratike, reformat parlamentare dhe rrugëtimin drejt integrimit evropian.
Në deklaratën e tij, Gashi ka theksuar edhe rëndësinë e diasporës shqiptare dhe maqedonase në Zvicër, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy shteteve.
“Pata nderin e veçantë që në Bernë të realizoj takim me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Parlamentit Federal të Zvicrës, Sh.T. Pierre-André Page. Konfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore ndërmjet dy vendeve tona, si dhe gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar”, ka deklaruar Gashi.


