Sezoni i ngrohjes përfundon sot, më 15 prill 2026, dhe fillon e ashtuquajtura periudhë kalimtare, e cila zgjat deri më 30 prill, informoi Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhim me Mbeturina Komunale (KRRE).
“Sipas Rregullave të Furnizimit me Energji Termike dhe Sistemit Tarifor të Shitjes së Energjisë Termike, prej nesër deri në fund të muajit, nëse temperatura mesatare e parashikuar e jashtme për ditën e nesërme është e barabartë ose më e ulët se 12 gradë Celsius sipas të dhënave të marra nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, furnizuesi është i detyruar në hapësirat e ngrohjes në periudhën nga ora 06:00 deri 22:00 të sigurojë temperaturë ngrohjeje prej 20+1 gradë Celsius”, kumtoi KRRE.
Sezoni i ngrohjes në Shkup për shfrytëzuesit e lidhur me sistemin e ngrohjes qendrore fillon më 15 tetor dhe zgjat deri më 15 prill.

