Rezultatet paraprake përmbysën sondazhet paraelektorale, duke vendosur në krye partinë konservatore “HDZ”, pas zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës në Kroaci, të dytat brenda më pak se një viti.
Unioni demokratik kroat llogaritet të ketë siguruar 61 nga 151 vendet e Parlamentit, ndërsa aleanca e 4 partive, e udhëhequr nga socialdemokratët, ka marrë 54 të tilla.
Konservatorët kroatë duket se po arrijnë në këtë mënyrë të mbërthehen pas pushtetit, por votimet e së dielës nuk i japin një mazhorancë të qartë dhe rolin qëndror në krijimin e koalicionit të ri qeverisës, me shumë gjasë do ta marrë sërish ish-partnerja e tyre e qeverisë, partia e qendrës së djathtë “Most”.
Korrespondentët mendojnë se një ekzekutiv i dobët nuk do të kishte një mandat të palëkundur për të vënë në jetë reformat e rrepta të kërkuara nga Bashkimi Europian. Qeveria e krijuar në nëntor dhe e drejtuar prej “HDZ”-së u shemb në muajin qershor, pas vetëm 5 muajsh qeverisjeje, për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta, të cilat kulmuan me skandalin e një konflikti interesi.
Koalicioni i “HDZ”-së u karakterizua nga një kthesë e fortë djathtas dhe një antipati në rritje për median e pavarur dhe minoritetet, sidomos serbët etnikë, çfarë shkaktoi shqetësim ndërkombëtar. Kroacia mbetet njëra prej ekonomive me performancën më të dobët në Bashkimin Europian, pavarësisht disa zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit, të lidhura me anëtarësimin e vendit në BE.