Komuna e Kumanovës ka shuar shpresat e mësimdhënësve për pagesën e orëve shtesë në arsimin fillor. Kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski tha për Alsat se mësimdhënësit meritojnë të marrin shtesat në pagë por kjo nuk mund të realizohet për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm nga bllok dotacionet.
– Advertisment –
Mësuesit meritojnë t’u paguhen orët shtesë që po i realizojnë në kushte të pandemisë. Fatkeqësisht, në komunën e Kumanovës, ndoshta edhe në komuna tjera, posaçërisht në pjesën e arsimit fillor, bllok dotacionet nuk mund ti mbulojnë shpenzimet e tilla. Shkollat filore tashmë janë në gjendje të vështirë financiare. Në tre vitet e fundit në vazhdimësi po shlyejmë borxhet e mbetura”.
Mësuesit që tashmë po realizojnë orët shtesë nuk heqin dorë nga pagesat. Thonë se po përballen me vështirësi të shumta, ndërsa ndjehen edhe të diskriminuar.
Ne e filluam punën duke menduar se do të punojmë një javë, dy apo tri, apo një muaj. Në vazhdojmë të punojmë por mendoj se e tepruar është kjo, dikush të punoj në dy ndërrime, dikush në një ndërrim edhe të mos na e kompensojnë punën shtesë. Në vend se ti mbajmë katër ose pesë orë në ditë ne po duhet ti mbajmë edhe nga nëntë ose dhjetë orë. Është një lodhje e tepërt, kjo është një e padrejtë ndaj neve- deklaroi Xhelal Latifi, mësues, sh.f “Bajram Shabani” Kumanovë.
Nga Sindikata për Arsim përsëritën se pagesa shtesë e mësimdhënësve është detyrim ligjor I autoriteteve përkatëse.
Jo se ky është qëndrimi im ose unë dëshiroj ashtu, por këtë e parasheh ligji dhe marrëveshja kolektive. Secili që ka bërë më shumë punë nga ajo e caktuara duhet ti paguhet puna shtesë. Secili që nuk ka paguar do të ballafaqohet me ligjin. Patjetër ta përmendi se tashmë kemi bërë paraqitje edhe në inspektoratin e punës, të konstatojnë se drejtorët kanë bërë shkelje në këtë rast, të bëjnë proces verbal pas çka do ti detyrojnë shkollat ti paguajnë këta mësimdhënës- pohoi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut
Nga Ministria e Arsimit kanë përsëritur se komunat vendosin nëse do të paguhen orët shtesë të mësimdhënësve që realizojnë mësimin me prezencë fizike në shkollë.
Melihate Rustemi



